Artisti britanik Banksy, që ka pikturuar në Kiev shtatë pikturale murale, nxjerr në shitje 50 vepra grafike për të ndihmuar Ukrainën.
Artisti britanik Banksy, i cili ka pranuar se ka pikturuar disa murale në Ukrainën e shkatërruar nga lufta, ka nxjerrë në shitje 50 vepra grafike që tregojnë një mi të bardhë në kuti picash për të ndihmuar civilët ukrainas të prekur nga konflikti.
“Janë 50 printime në kanavacë dhe të gjitha të ardhurat nga shitja e tyre do të shkojnë për miqtë tanë në Ukrainë”, shkruan Banksy në faqen e tij në Instagram.
Çdo printim – i nënshkruar dhe i numëruar nga artisti – shitet për 5000 pfund britanikë, që do të thotë që koleksioni këa një vler prej gjysmë milioni paund.
12 vjet burg për personin që tentoi të vidhte muralen në Kiev
Një burrë dyshohet se bindi një grup prej tetë personash për të prerë një vepër arti të Banksyt nga një mur. Bëhet fjalë për një nga pikturat murale që artisti i rrugës ka krijuar rreth zonave të dëmtuara rëndë në Kiev. Personi që dyshohet si organizatori i heqjes së murales në qytetin ukrainas mund të përballet me 12 vjet burg nëse shpallet fajtor, njoftoi Ministria e Brendshme e Ukrainës.
Muralja në të cilën qe piktuaruar një grua me një maskë gazi dhe robdëshambër, dhe që mban një fikëse zjarri në dorë, ishte pikturuar në fillim të dhjetorit 2022 në një mur të verdhë ku dukeshin shenjat e betejës në qytetin Hostomel, në veriperëndim të Kievit.
Por pak ditë pasi piktura qe gati, policia ukrainase konstatoi se një pjesë e suvasë së murit ku gjendej piktura murale ishte prerë. Më 2 dhjetor üolicia ukrainase arrestoi tetë persona që po përpiqeshin të hiqnin veprën e artit. Autoritetet ukrainase e kanë vlerësuar veprën në vlerën e 9 milionë hryvnia (231,700 euro).
Sipas Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës është identifikuar personi që besohet se e organizoi këtë operacion. Ai dyshohet se kishte bindur disa persona të tjerë që ta ndihmonin për të vjedhur muralin, duke u thënë atyre se kishte leje përkatëse për të çmontuar veprën e artit. Grupi prej tetë vetash u pa në Hostomel, në periferi të kryeqytetit ukrainas.
Policia sekuestroi në vendngjarje muralen dhe e ka marrë atë në mbrojtje. Ministria e Kulturës do të përcaktojë më tej fatin e saj.
“Këto imazhe janë, në fund të fundit, simbole të luftës sonë kundër armikut. Ne do të bëjmë gjithçka për t’i ruajtur këto vepra të artit të rrugës si një simbol të fitores sonë,” tha në një deklaratë guvernatori i Kievit, Oleksiy Kuleba.
Punimet e artistit të njohur britanik, i cili vazhdon të mbetet anonim shiten për miliona dollarë, Bansky është një nga artistët më të famshëm të rrugës.
Bansky në Kiev
Bansky konfirmoi se gjatë muajit të kaluar kishte pikturuar në Kiev 7 murale. Për veprat e tij ai zgjodhi zonat e goditura fort nga luftimet e ashpra në Ukrainë.
Një murale e pikturuar në një mur të dëmtuar rëndë tregon një vajzë që mban në dorë një copë nga rrënojat. Një tjetër pikturë tregon një djalë të vogël që hedh poshtë në karate një burrë me rrip të zi, i cili në dukje i ngjan Presidentit rus Vladimir Putin, i njohur për vlerësimin e tij për artet marciale.
Arti i Banskyt, kryesisht politik dhe i dallueshëm për teknikën e shabllonit, gjendet në të gjithë botën, përshirë edhe disa zona në konflikt./DW
Top Channel