Në Katar, pas një finale që mund të konsiderohet me plot gojën e çmendur, Argjentina fitoi të tretin Botëror në histori teksa mposhti nga lotaria e penalltive, Francën. Entuziazmi ishte i jashtëzakonshëm te argjentinasit ndërsa nuk mungonte në stafin e kombëtares edhe ish-sulmuesi Sergio Aguero.
I tërhequr nga futbolli për arsye kardiake, Aguero nuk mendoi aspak të ruhej në lidhje me shëndetin dhe së fundmi zbulon se e teproi me alkoolin aq sa dhe mori kritika nga ana e Lionel Messit me të cilin ka një raport të ngushtë miqësor.
“Piva shumë alkool dhe nuk konsumova pothuajse fare ushqim. Jemi Kampionë të Botës dhe në atë moment nuk më interesonte asgjë, as shëndeti im. Nëse do të më ndodhte diçka, le të kishte ndodhur, nuk do më vinte keq. Por, ishte Messi që u nxeh shumë dhe më kritikoi. Më urdhëroi që të ndalesha.
Në momentin kur ngrita Messin në krah, ndjeva dhimbje në shpine. Në një moment të caktuar, as nuk mundesha të lëvizja. Edhe pak dhe do të përfundoja në spital, por Messi e kuptoi dhe zbriti”, u shpreh Aguero.
Top Channel