Një ngjarje tragjike ka ndodhur mëngjesin e së martës në Prizren, ku në një lokal nate ka pasur të shtëna me armë zjarri, si pasojë e të cilave ka ndërruar jetë një person ndërsa një tjetër është plagosur.
Kryeprokurori në Kosovë Admir Shala, ka treguar dyshimet e para se si ka ndodhur rasti tragjik.
Sipas tij, dyshohet se ngjarja tragjike ka ndodhur pas një konflikti në lokalin ‘Kobra City’ me disa shtetas të Shqipërisë, lidhur me pagesën e faturës së shërbimeve.
“Sot në orën 04:10, policia ka marr informatë se ka pasur të shtëna në afërsi të lokalit ‘Kobra City’, në dalje të Prizrenit rruga Prizren- Kukës. Dyshohet se ngjarja tragjike ka ndodhur pas një konflikti në lokalin ‘Kobra City’ me disa shtetas të Shqipërisë, lidhur me pagesën e faturës së shërbimeve”, ka thënë Shala.
Kryeprokurori theksoi se në momentin që shtetasit V.C., R.Sh dhe A.B, po largoheshin me automjetin e tyre të markës Audi, dyshohet së shtetasi D.H, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të tyre.
Shala tha se si pasojë e të shtënave me armë zjarri 31-vjeçari me inicialet V. C., dhe R. Sh., 27 vjeç, të dy nga Kukësi janë plagosur, ku si pasoj e plagëve shtetasi V.C ka vdekur, ndërsa shtetasi R.SH. ka pësuar lëndime trupore dhe është jashtë rrezikut për jetë.
Ai tha se Prokuroria Themelore në Prizren së bashku me Policinë e Kosovës, janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, me qëllim të sigurimit të provave dhe zbardhjes së rrethanave të ngjarjes.
“Organet e zbatimit të ligjit të Kosovës dhe ato të Shqipërisë janë në bashkëpunim për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. I dyshuari D.H. dyshohet për veprën penale vrasje e rëndë. Janë ndaluar për 48 orë, 6 persona. Për informata tjera do jeni të informuar”, tha ndër të tjera, kryeprokurori Shala.
Top Channel