Festat e fundvitit janë më të mëdhatë në harkun kohor të 365 ditëve dhe mbi të gjitha janë festa ushqimesh.
Duke qenë se abuzojmë me ushqimin dhe konsumin e alkoolit, një pyetje që na mundon pak a shumë të gjithëve, është si të heqim kilogramët që marrim gjatë festave.
Nutricionistja Enkeleda Ferrollari shpjegon:
“Kur kemi mbaruar festat dhe ushqimet e mbetura, duke qenë se ne gatuajmë shumë për tryezën e ndërrimit të viteve, pra pasi i përfundojmë rezervat që kishim në frigorifer, ajo që na duhet është të fillojmë me një dietë hipokalorike, pra ushqime me sasi të kufizuara dhe të pasura me zarzavate.
Nuk kemi nevojë të orientohemi tek interneti dhe këshillat që gjejmë atje si të mos hamë fare, apo të bëjmë detoks, apo të pimë vetëm lëngje, që janë sakrifica të panevojshme dhe jo të shëndetshme nga ana tjetër. Vetë organizmi ynë është një sistem i përsosur që edhe ngarkesat e ushqimeve të festave u vetëpastron, thjesht të fillojmë çdo vakt me një sallatë me zarzavate të freskëta, qoftë sallatë, domate, lakër, rukola, spinaq etj.
Të kufizojmë deri në një herë në javë sasinë e mishit të kuq, atë të viçit, derrit. Pas festave është mirë të fusim në menu peshkun dhe bishtajoret që janë fasulet, thjerrëzat, qiqrat të pasuara me proteina dhe fibra dhe që na ndihmojnë edhe në pastrimin e organizmit dhe furnizimin me energji. Të eliminojmë alkoolin, pijet me gaz dhe sheqer, të shtojmë sasinë e ujit pasi është një pastrues shumë I mirë. Pa lenë pas dore frutat dhe agrumet e stinës si portokallet, mandarinat, limonat e mollët, të pasura me vitamin C, fibra dhe që kanë efekte antioksiduese.
Top Channel