Qeveria në Japoni u ofron familjeve 1mln jen për çdo fëmijë, të largohen nga Tokio (fotot)

03/01/2023 17:19

Qeveria ka shtuar nxitjet financiare për të joshur njerëzit të popullojnë zona periferike të prekura nga mosha e lartë e popullsisë dhe rënia e numrit të banorëve.

Autoritetet po ofrojnë tashmë ¥1mil ($9000) për çdo fëmijë, që familjet të vendosen jashtë kryeqytetit Tokio, për të ndryshuar tendencën e rënies së popullsisë në zona të tjera.

Nxitja e fundit është një rritje e konsiderueshme e financave në krahasim me masën pararendëse prej ¥300,000 – që nisi në prill, sipas mediave japoneze, e cila nuk po jepte efektet e dëshiruara.

Megjithse popullata e Tokios ra për herë të parë vitin që shkoi, tendenca iu atribua vetëm virusit, prandaj zyrtarët menduan të bëjnë më shumë për të ulur mbipopullimin e qytetit dhe nxitjen e popullimit të zonave më pak të preferuara.

Për të përfituar asistencën familjet duhet të vendosen jashtë zonës së Tokios së Madh, ose edhe duke u vendosur në vende malore brenda kufijve të kryeqytetit, shkruante agjencia shtetërore Kyodo.

Rreth 1,300 bashki e minibashki, që përbëjnë 80% të totalit – i janë bashkuar skemës, duke shpresuar të ndryshojnë tendencat, pasi tashmë shumë punonjës mund të punojnë dhe në distancë.

Familjet duhet të jetojnë për të paktën pesë vjet në rezidencat e tyre të reja dhe një anëtar i familjes duhet të hapë një biznes aty, për të përfituar ndihmën.

Ndërsa ata që rikthehen në qytetet e mëdha si Tokio e Osaka para pesë vjetëve do të duhet të rikthejnë paratë e mbështetjes nga skema.

Zyrtarët shpresojnë me nxitjen për familjet me fëmijë deri në 18 vjeç, do të rivitalizojnë rajonet e reja duke zbutur presionin ndaj shërbimeve publike në Tokio, që është metropoli më i madh në botë me më shumë se 30 milionë banorë.

Parimisht familjet pritet të marrin nga 1 deri në 3 milionë jen, nëse plotësojnë një nga tre kriteret: Punësim në një kompani të vogël ose të mesme në zonën e re, vazhdim i punës së tyre në distancë, apo hapja e një biznesi të ri në vendndodhjen e re, shkruan rrjeti vendas i biznesit Nikkei.

Gjysma e parave do të vijnë nga qeveria qendrore dhe gjysma nga bashkitë e vendndodhjes së re, shkruan Kyodo.

Qeveria thotë se shpreson që 10,000 të zhvendosen nga Tokio drejt zonave rurale deri në vitin  2027.

Për të tërhequr rezidentët e rinj qytezat e fshatrat japoneze kanë nisur një fushatë publicitare ku theksohet bukuria e jetës rurale, shërbimi i lehtësuar mjekësor, ose si në rastin e pazakontë të qytezës Otari në prefekturën Nagano, është theksuar dhe “numri burrave të lirë për martesë”.

Zhvillimi vjen pas rënies së popullsisë së ekonomisë së tretë më të madhe të botës  me 644,000 në vitet 2020-21, sipas të dhënave qeveritare.

Në vitin 2021 numri i lindjeve në vend ishte 811,604, më e ulëta që prej nisjes së mbajtjes së të dhënave në vitin 1899.

FOTO GALERI
2/3
Familjet duhet të jetojnë për të paktën pesë vjet në rezidencat e tyre të reja dhe një anëtar i familjes duhet të hapë një biznes aty, për të përfituar ndihmën.

Top Channel