Në janar, anëtari liberal i Gjykatës, 83-vjeçari Stephen Breyer njoftoi se do të dilte në pension në fund të sesionit.
Njoftimi i hapi rrugën Presidentit Joe Biden për të përmbushur një premtim të fushatës për të emëruar gruan e parë me ngjyrë në gjykatën më të lartë të vendit.
52 vjeçarja Ketanji Brown Jackson, gjykatëse federale e diplomuar në universitetin e Harvardit, e cila dikur kishte punuar në zyrën e gjykatësit Breyer, u konfirmua nga Senati në prill.
Por emërimi i zonjës Jackson në Gjykatën e Lartë nuk e ndryshoi ekuilibrin ideologjik. Shumica, gjashtë nga nëntë anëtarët e gjykatës janë zgjedhur nga republikanët, tre prej të cilëve janë emëruar nga administrata e presidentit Donald Trump. Ata shpesh votojnë si një bllok për çështje të ndjeshme si aborti dhe të drejtat për armëmbajtjen.
Nga vendimi i qershorit përmes së cilit iu dha fund abortit si një e drejtë federale, duke iu dhënë mundësi shteteve të vendosin individualisht, e deri tek shqyrtimi në tetor i mundësisë së dhënies fund të politikës së favorizimit të kandidatëve që i përkasin komuniteteve të diskriminuara për pranim në universitet, viti 2022 ka qenë një vit me vendime të rëndësishme dhe që ka nxitur debate për gjykatën.
Viti mbulonte fundin e një mandati dhe fillimin e një tjetri.
Edhe pse gjykata me raste ka periudha relativisht të qeta, kjo nuk mund të thuhet për vitin 2022.
Në një mori vendimesh, gjatë mandatit që përfundoi në qershor, ku votimi në çdo rast përfundoi 6-3 në favor të gjykatësve konservatorë, gjykata i dha fund të drejtës kushtetuese për abort, kufizoi aftësinë e qeverisë për të luftuar ndryshimet mjedisore dhe zgjeroi të drejtat për armëmbajtje.
Aborti
Me vendimin për çështjen Dobbs përballë Organizatës së Shëndetit të Grave Jackson, gjykatësit përmbysën precedentin e vendimeve të gjykatës në favor të abortit, të konsoliduar për gati gjysmë shekulli.
Shumë konservatorë e shihnin këtë vendim si përgjigje ndaj pyetjes nëse e drejta e abortit ndonëse nuk përmendet shprehimisht në Kushtetutë, është e njohur nga Gjykata e Lartë.
Gjykatësi Samuel Alito, në arsyetimin e shkruar prej tij kur u vendos kundër abortit, tha se ka të drejta që megjithëse nuk janë në Kushtetutën e vendit, janë “të rrënjosura thellë në historinë dhe traditën e Kombit”, por e drejta për abort nuk është mes tyre.
Vendimi për këtë çështje përfaqësonte kulmin e një fushate konservatore dhjetëvjeçare kundër vendimit të mëparshëm të Gjykatës së Lartë të vitit 1973 që e kishte shpallur abortin të drejtë mbarëkombëtare.
“Unë nuk do të shkoja aq larg sa të karakterizoja vendimet si të bazuara ideologjikisht në krahasim me ato të bazuara në jurisprudencë”, thotë Joel Alicea, asistent profesor i së drejtës në Universitetin Katolik të Amerikës dhe anëtar jorezident në Institutin konservator American Enterprise.
“Mendoj se në fund të mandatit të fundit dhe duke hyrë në këtë mandat, ne po shohim një ndryshim të rëndësishëm në drejtimin që gjykata po merr në qasjen e saj ndaj gjykimit kushtetues. Ky ndryshim po shkon më shumë duke iu kthyer historisë dhe traditës dhe më larg vendimeve të ekuilibruara që gjyqtarët i preferojnë në shumë fusha të ndryshme të ligjit”, thotë zoti Alicea.
Por studiuesit liberalë të Kushtetutës thonë se qasja e krahut konservator ndaj ligjeve i bën vendimet e tij kundër abortit dhe çështje të tjera të profilit të lartë, jo më pak radikale.
Caroline Fredrickson, profesore në Qendrën Juridike të Universitetit Georgetown dhe bashkëpunëtore e lartë në Qendrën për Drejtësi ‘Brennan’ me prirje të majtë, tha se “veçanërisht kur fillon të shtosh fjalën ‘traditë’ në vendime, ajo bëhet diçka që ka ndikim të madh”.
Zonja Fredrickson shton se në çështjen e abortit, anëtari konservator i Gjykatës, Alito citon mendimet e klerikut anglez të shekullit të 13-të Henry de Bracton për të shqyrtuar “nëse gratë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në shekullin 21 duhet të kenë të drejtën për të kontrolluar trupin e tyre”.
“Kjo është radikale dhe nuk e di se si mund marrësh për bazë qëndrimet e një teologu të shekullit të 13-të për sa i përket të drejtave kushtetuese”, tha zonja Fredrickson.
Vendimi për abortin ka ngjallur shqetësime se gjykata e lartë mund të zhbëjë të drejta të tjera si e drejta për martesën e personave të të njëjtës gjini.
Vendimet e ardhshme
Ndërsa askush nuk pret që Gjykata e Lartë të anulojë vendimin e saj të vitit 2015 për martesat e personave të të njëjtës gjini, vëzhguesit presin që gjyqtarët të rrëzojnë precedentë të tjerë.
Në dy muajt që nga fillimi i mandatit të ri në tetor, gjyqtarët kanë dëgjuar argumente gojore mbi çështje si rindarjen e qarqeve votuese për Kongresin, konfliktet mes të drejtave të komunitetit LGBTQI dhe fjalës së lirë, dhe një interpretim kushtetues të njohur si teoria e legjislaturës së pavarur.
Çështja para gjykatës rreth politikës së favorizimit të kandidatëve që i përkasin komuniteteve të diskriminuara për pranim në universitet përfshin padi të ngritura kundër Universitetit të Harvardit dhe Universitetit të Karolinës së Veriut nga një grup i quajtur Studentët për Pranim të Drejtë.
Padia kundër Harvardit pretendon se politika e pranimeve e universitetit diskriminon aplikantët aziatikë amerikanë, ndërsa ankesa kundër Universitetit të Karolinës së Veriut bën një pretendim të ngjashëm në emër të studentëve të bardhë.
Gjykata e Lartë ka vendosur më parë se kolegjet dhe universitetet mund të përdorin racën si një nga faktorët në vendimmarrjen e tyre për pranimet si pjesë e një përpjekjeje për të ndërtuar një trup studentor të larmishëm. Por gjatë debateve gojore në fund të tetorit, gjashtë gjyqtarët konservatorë të gjykatës vunë në pikëpyetje precedentët e gjykatës për këtë gjë, duke sugjeruar se ata janë të prirur të votojnë kundër asaj që ishte bërë praktikë.
Një rast tjetër që ka të ngjarë të çojë në një rezultat konservator, është ai ku një dizenjatore faqesh interneti përballet me shtetin e Kolorados.
Lorie Smith, një e krishterë e devotshme, thotë se dëshiron të krijojë faqe interneti për dasma, por vetëm për çiftet heteroseksuale dhe kërkon një përjashtim nga ligji anti-diskriminues i Kolorados që detyron edhe bizneset të trajtojnë të gjithë në mënyrë të barabartë.
Duke i lejuar asaj një përjashtim, argumentoi shteti i Kolorados, mund t’u hapej rruga formave të tjera të diskriminimit.
Por, krahu konservator i gjykatës u shfaq i pakënaqur, duke sugjeruar se detyrimi i dizajneres të faqes së internetit për shtuar çiftet LGBTQI do të shkelte të drejtën e saj për fjalën e lirë që është Amendamenti i Parë i Kushtetutës amerikane.
Një rast tjetër përqendrohet në të ashtuquajturën teori të legjislativit të pavarur.
Teoria thotë se Kushtetuta e SHBA-së u jep legjislativeve shtetërore fuqi pothuajse të pakufizuar për të rregulluar zgjedhjet federale pa ndonjë mbikëqyrje nga gjykatat shtetërore.
Megjithatë, gjatë argumenteve gojore në fillim të këtij muaji, shumica e gjyqtarëve nuk ishin të gatshëm ta pranonin teorinë, pavarësisht nga mbështetja prej disa gjyqtarëve konservatorë.
Një interpretim i ndryshëm i ligjit
Vendimet konservatore të Gjykatës së Lartë kanë bërë që disa kritikë në të majtë ta quajnë atë si “gjykatën radikale të (ish-presidentit) Trump”.
Por kur bëhet fjalë për ish-presidentin Trump, vendimet e të cilit u përballen shpesh me procese gjyqësore, gjykata ka treguar një shkallë pavarësie.
Në tetor, ajo hodhi poshtë një kërkesë të zotit Trump që një ekspert i pavarur të lejohej të shqyrtonte dokumentet sekrete të gjetura nga Byroja Federale e Hetimit (FBI) në pronën e tij në Florida. Në nëntor, gjykata hodhi poshtë një përpjekje të ish-presidentit Trump për të mos lejuar Kongresin që të merrte deklaratat me të dhënat e tij për taksat si pjesë e një hetimi.
“Mendoj se çdo sugjerim se ata i përkasin në një farë mënyre ish-presidentit është qartësisht i gabuar dhe pa asnjë bazë”, thotë zoti Alicea.
Zonja Fredrickson tha se refuzimi i kërkesave të zotit Trump nga gjykata sugjeron se ata janë “më të pavarur” se sa të tjerët mendojnë.
“Mendoj se ata, sidoqoftë, kanë nisur të ndryshojnë rrënjësisht mënyrën e interpretimit të ligjit tonë dhe është me të vërtetë e parëndësishme nëse ata mbështesin Trumpin apo jo”, thotë zonja Fredrickson./Zëri i Amerikës
Top Channel