Kroacia fillon epokën e re të euros dhe zonës Shengen

02/01/2023 17:28

Kroacia po hyn në një vit historik pasi i bashkohet zonës Shengen pa kufij të BE-së dhe ajo heq monedhën e saj, kunën, duke adoptuar euron.

Vendi u angazhua për t’u bashkuar me eurozonën kur u bë anëtari më i ri i BE-së në vitin 2013.  Është vendi i njëzet e shtatë në zonën Shengen, i cili lejon 400 milionë të lëvizin lirshëm ndërmjet vendeve.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen i përshëndeti ndryshimet si dy arritje të jashtëzakonshme për shtetin më të ri anëtar të BE-së.

Ajo tha se 1 janari  kur zyrtarisht ndodhën ndryshimet  do të ishte një ditë “për librat e historisë”.

“Mbi të gjitha, ky do të ishte një moment gëzimi dhe krenarie për popullin kroat. Është dëshmi e udhëtimit tuaj të mahnitshëm, punës tuaj të palodhur dhe vendosmërisë suaj”, shtoi ajo.

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, tha të dielën se vendi kishte “arritur qëllimet e tij strategjike, shtetërore dhe politike” nga dy ndryshimet historike. Ai po fliste në një ceremoni në pikën kufitare të Breganës me Slloveninë fqinje, ku pasaportat nuk do të kontrollohen më në mënyrë rutinore.

Plenkoviç tha se anëtarësimi në Shengen do të thoshte shumë për Kroacinë si një vend turistik, i cili është në një masë të madhe një destinacion ku turistët udhëtojnë me makinë.

“Fakti që do të jemi edhe në eurozonë jep një sinjal tjetër për të gjithë ata që vizitojnë Kroacinë”, shtoi ai.

Hyrja e Kroacisë në zonën Shengen pritet të nxisë industrinë e saj të turizmit, e cila përbën 20% të PBB-së së saj dhe mirëpret miliona vizitorë çdo vit. Radhët e gjata më parë në pikat kufitare me Hungarinë dhe Slloveninë duhet të kthehen në të kaluarën.

Përdorimi i euros është tashmë i përhapur në vend, me asete kyçe si banesat të vlerësuara në monedhë dhe një përqindje e madhe e depozitave bankare të shprehura gjithashtu në euro.

Ekspertët thonë se lëvizja në monedhën evropiane duhet të ndihmojë në mbrojtjen e ekonomisë së Kroacisë në një kohë inflacioni në të gjithë globin.

Euro u lançua më 1 janar 1999 si monedhë elektronike dhe u bë mjet ligjor për rreth 300 milionë njerëz në 12 shtete anëtare më 1 janar 2002. Me shtimin e Kroacisë, tani ka 20 vende në eurozonë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA