Ishte 31 gusht i vitit 2021 kur qeveria greke paralajmëronte se nga 1 shtatori gjithë punonjësit e shëndetësisë në spitalet publike do të pezulloheshin nga puna në se nuk do të vaksinoheshin kundër koronavirusit gjatë periudhës së pandemisë.
Për muaj të tërë kanë pasuar protesta të gati 7000 mjekëve, infermierëve dhe punonjësve të administratës në këto spitale të cilët nuk pranonin të vaksinoheshin.
Megjithëse sektori i shëndetësisë përballonte mungesa të mëdha në personel në valët e ndryshme të fundit të pandemisë dhe Greqia ishte një nga vendet me numër të lartë vdekjesh, mbi 34500, përsëri qeveria i qëndroi stoike vendimit të saj.
Por prej ditës së dytë të vitit të ri 2023, një vit elektoral për vendin që ndodhet vetëm disa muaj larg zgjedhjeve parlamentare, një vendim i Këshillit të Shtetit , Gjykata më e Lartë Administrative, rikthen në punë gati 2000 punonjës të pavaksinuar të kujdesit shëndetësor publik, 16 muaj pas pezullimit të tyre, madje do tu paguhet edhe paga e plotë për 8 muajt e fundit.
Bëhet fjalë për mbi 170 mjekë, 800 infermierë dhe pjesa tjetër punonjës të administratës, ndërkohë që më shumë se 5000 të tjerë të pavaksinuar kanë punuar këto kohë duke paraqitur certifikatat mjekësore që vërtetonin se kishin kaluar koronavirusin.
Ministri i Shëndetësisë, Thanos Plevris, megjithëse pozicionohet ende kundër kthimit të punonjësve të shëndetit të pavaksinuar në spitale, ka deklaruar se do të respektojë vendimin. Ndërkohë Komisioni i Ekspertëve të Ministrisë së Shëndetësisë ka hartuar një protokoll të sigurt për kthimin e tyre në punë duke mbajtur maska, por edhe duke kryer dy teste në javë.
Top Channel