Demokratët u përçanë, u përplasën dhe u goditën mes njeri-tjetrit  të nxitur nga liderët e tyre 1 vit më parë.

Janari trokiti sërish në selinë blu, por edhe pse nga fasada janë zhdukur gjurmët e dhunës, koha nuk arriti te shërojë plagët dhe as si ndihmoi  demokratët që  të bënin paqe.

Afrim Krasniqi, drejtor i ISP: Praktikisht opozita prej 1 viti është  pa një opozite reale dhe  funksionale.

Konflikti  juridik për vulën dhe logon e partisë mbahet peng nga një vendim gjykate. Por, pavarësisht se nga cila anë do anojë peshorja e drejtësisë, për Sali Berishën partia e Ilir Metës do jetë sërish strehë për kandidatët e tij në zgjedhjet e pranverës.

Afrim Krasniqi, drejtor i ISP: Është absurde që  demokratët refuzojnë  njerën palë të demokratëve dhe shkojnë kërkojnë  përtej parcelës së tyre dhe familjes së tyre ideologjike. Si mund të jesh i besueshëm për të marrë drejtimin e vendit nëse ti nuk arrin të dialogosh me njerëzit e familjes tënde politike që ti ke drejtuar për vite me radhë.

Analisti politik, Ben Andoni: Unë mendoj se zoti Berisha me atë nuhatjen e vet nuk është e largët dita kur ti tregoi vendin zotit Meta, madje m ë  keq sesa ja ka treguar tashti zoti Rama sepse është  një aleat që të lë vazhdimisht në baltë për shkak të interesave të tij.

Lufta për pushtet brenda  partisë më të madhe të opozitës në syrin e analistëve politik po dobëson  ndjeshëm pozitat e demokratëve përballë një kundërshtari të disiplinuar si Partia Socialiste. Dalja me dy kandidat alternativ në zgjedhjet lokale parashikohet të jetë fatale për  opozitën.

Afrim Krasniqi, drejtor i ISP: Nëse opozita do ishte e bashkuar do kishte shanse për të marrë edhe bashki të mëdha si Korça për shembull, ose bashki te tjera ku diferenca mes palëve në zgjedhjet e fundit ka qenë minimale. Por, me një opozitë  të përçarë me kandidat rival në sistem mazhoritar ato rrezikojnë edhe zonat bastion të PD.

Analisti politik, Ben Andoni: Pa dashur të bëj orakullin është një dëm shumë i madh për Partine Demokratike, pasi  vendi jonë është shumë i vogël që brenda një forcë politike të bëhen eksperimente të tilla.

Në mungesë të vendimit të Apelit se kush duhet ti mbajë  çelësat e partisë, sytë e demokratëve janë  drejt  betejës së 14 Majit pasi rezultati i zgjedhjeve do  jetë përcaktuese  për peshën politike  të dy grupimeve brenda Partisë Demokratike.

Top Channel