Pa drita prej muajsh, fshati në Ukrainë përpiqet të riktheje energjinë për Vitin e Ri

31/12/2022 14:33

Fshati i vogël Tsirkuny, në rajonin e Kharkiv, bart të gjithë plagët e pushtimit rus.

Një prej tyre është mungesa e energjisë elektrike. Banorët e fshatit në fakt, nuk kanë pasur që nga muaji shkurt kur nisi pushtimi në shkallë të gjerë i Moskës ndaj vendit fqinj.

Punonjësit bashkiakë po përpiqen të riparojnë të paktën në prag të ndërrimit të viteve linjat dhe shtyllat e shkatërruara të tensionit te larte, në mënyrë që vendasit të gëzojnë si të gjithë të tjerët afrimin e Vitit të Ri.

Një pemë e vogël Krishtlindjesh u ngrit përballë ndërtesave administrative të fshatit, e zbukuruar me ato çfarë kishin mbetur në shtëpitë e banorëve.

“Është mirë që u vendos e u zbukurua pema e Krishtlindjeve. Ne duam paqe, dhe duam që mbrojtësit tanë të jetojnë. Për çfarë të vdesin, përse? E gjithë kjo është absurde”, tha Mariya Davidova, banore.

“Ëndërroj për momentin kur jeta jonë do t`i kthehet normalitetit. Uroj me zemër që 2023-shi të jetë një vit i gëzueshëm dhe ne të kthehemi në shtëpitë tona. Po jetojmë në apartamente pa drita, pa gaz, dritaret i mbyllim me gazeta”, u shpreh Dina Alforova, banore.

Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksiy Reznikov, u shpreh më herët se Rusia që nisi pushtimin e Ukrainës mbi 10 muaj më parë, shumë shpejt do të njoftojë për mobilizim të mëtejshëm ushtarak, dhe u bëri thirrje rusëve ta shmangin një gjë të tillë.

“Shmangni mobilizimin në çdo mënyrë. Kur liderët e bunkerit nuk janë në gjendje të dërgojnë rekrutë të rinj, ata do të detyrohen ta pranojnë humbjen. Dhe lufta do të përfundojë”, u shpreh ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA