Viola Sterjo, ish zyrtarja e AKSHI- t e akuzuar për mashtrim dhe përfitime shumash të mëdha financiare me qëllim garantimin e granteve nga skema e AZHBR është lënë në masën e sigurisë arrest në burg nga gjykata e Korçës.
Seanca për njohjen me masën u zhvillua me dyer të mbyllura dhe zgjati thuajse dy orë ndërsa 39 vjeçarja ka pranuar ekzistencën e marrëdhënieve të punës me personat që e kanë kallëzuar por ka shpjeguar se vlerat monetare ajo i ka përfituar në këmbim të shërbimit të konsulencës që u ka ofruar këtyre personave duke plotësuar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për aplikimin.
Sterjo sipas avokatit mbrojtës është e punësuar part- time në disa subjekte që ofrojnë shërbimin e konsulencës dhe është treguar e gatshme të vendosë në dispozicion të organeve dokumentacionin e nevojshëm
Viola Sterjo akuzohet për mashtrim të 5 subjekteve që synonin përfitimin e granteve në vlerën 2.2-4.5 mln euro nga AZHBR. Rasti u zbulua pas kallëzimit në prokurori të njërit prej tyre të cilit 39 vjeçarja 2 vite më parë i kishte marrë 57 mije euro dhe 1 mln lekë duke i premtuar një grant prej 4.5 mln euro.
Top Channel