Kremlini ka paraqitur kushtet e tij për paqe me Ukrainën, dhe kryesori është njohja e aneksimit nga Rusia të katër rajoneve në lindje dhe në jug të vendit.
Sipas këndvështrimit të Moskës, nuk mund të ketë asnjë plan paqeje për Ukrainën, i cili nuk merr parasysh realitetet e sotme në territorin rus,”.
Agjencia ruse e lajmeve Interfax citoi për këtë njoftim zëdhënësin e Kremlinit, Dmitri Peskov. Peskov reagoi ndaj planit prej dhjetë hapash të presidentit ukrainas Selenski, kërkesat thelbësore të të cilit janë tërheqja e trupave ruse dhe pagimi i reparacioneve për dëmet e luftës agresore ruse ndaj Ukrainës.
Sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Ukrainës, Oleksij Danilov, i hodhi poshtë menjëherë kërkesat e zëdhënësit të Kremlinit.
Nuk ka asnjë realitet në të cilin ‘territore të reja janë pjesë e Federatës Ruse’, shkroi Danilov në Tëitter. “Realitetet e Federatës Ruse janë: turpi, disfata dhe kolapsi i saj”. Ambasadori i Ukrainës në Gjermani, Oleksi Makeiev, ripërsëriti ndërkohë kërkesat e vendit të tij për mbështetje të mëtejshme në luftën kundër Rusisë.
“Paqja nuk bie nga qielli. Për të duhet luftuar. Dhe ne ukrainasit e bëjmë këtë në emër të të gjithë evropianëve,” tha Makeiev për gazetat e grupit mediatik gjerman Funke. Ukrainasit duan “më shumë guxim dhe vendosmëri nga aleatët dhe partnerët tanë”. Si synime për vitin 2023 Makeiev përmendi “çlirimin e plotë të vendit nga pushtuesit rusë, rivendosjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, kthimin e bashkatdhetarëve në shtëpi, rindërtimin e vendit dhe përparimin e mëtejshëm në integrimin në BE dhe NATO”.
Top Channel