Lajmin e pranimit të 50 të burgosurve shqiptarë nëpër burgjet britanike, e publikon tabloidi britanik Daily Mail i cili e cilëson atë si “një gjest të vullnetit të mirë me rastin e Vitit të Ri” nga ana e qeverisë shqiptare.
50 të burgosur kanë pranuar vullnetarisht të vuajnë pjesën e mbetur të dënimeve të marra nga gjykatat britanike nëpër burgjet e tejmbushura shqiptare, në bazë të një marrëveshje të re.
10 të parët do mbërrijnë me avionë charter në javët e para të janarit në aeroportin e Rinasit. Deri më tani ndër të deportuarit kanë qenë të dënuar,që u kishin mbaruar dënimet dhe një pjesë shumë e vogël e atyre që kanë kaluar La Manshin me gomone.
Deri më sot do duhej vullneti dhe dëshira e të burgosurve shqiptarë që të dërgoheshin ose jo në burgjet shqiptare, por në bazë të një marrëveshjeje të viti 2021, tani e tutje ata mund të dërgohen edhe pa pëlqimin e tyre.
Shqiptarët përbejnë 10 për qind të të burgosurve të huaj nëpër burgjet angleze, ku shifra e tyre shkon në mbi 1336 shqiptarë. Ndër shqiptarët që janë dënuar më shumë janë dy vrasës dhe tre drejtues të mëdhenj të trafikut të drogës që kanë marrë dënime deri në 143 vjet me një kosto për shtetin anglez që shkon në mbi 6.7 milionë sterlina me çmimet e tanishme pa marrë parasysh inflacionin në të ardhmen.
Nuk ka të dhëna se cili është përfitimi financiar apo fatura e shtetit shqiptar nga kjo marrëveshje.
Top Channel