Pas festave që u ndaluan me përhapjen e Covidit, besuam se me përfundimin e vitit 2021 u largua dhe hija e zezë që i rrinte mbi koke Shqipërisë.
“Por çfarë na doli ishte se ishte një zgjatim i pandemisë me shfaqjen e varianteve të reja apo me efektet anësore të stërzgjatura”, tha Edlira Gjoni – shoqëria civile.
Por tani që jemi në pritje të 2023, në këto momente reflektimi, pa u shëruar plotësisht nga Covidi, e keqja e radhës na trokiti në derë në fillim të 2022.
Ishim gabim kur menduam se lufta Rusi-Ukrainë ishte larg nesh. Ajo do të sillte goditjen e radhës për shqiptarët me rritjen e frikshme e shpeshherë edhe abuzive të çmimeve…
“Shumë e menduam sikur është në krahun më lindor të Europës, nuk ka për të mbërritur te ne, por në fakt e shikojmë çdo ditë se ekzistenca e luftës përmendet vazhdimisht për çmimet shportën e konsumit, naftën. Na është bërë lufta Rusi-Ukrainë, si qendra e gjithçkaje që lëviz ekonominë dhe jetën në vend”, u shpreh Edlira Gjoni – shoqëria civile.
Asnjëherë nuk na kishte shkuar në mendje se eksodi i shqiptarëve do të ripërsëritej në 2022. Të rinj, familje me fëmijë të vegjël që u zvarriten gomoneve për një jetë më të mirë jashtë Shqipërisë…
“Ishte një vit i gjatë dhe i vështirë dhe ku shqiptarët nuk gjetën shpresë, njerëzit po e lënë vendin. Është e pakuptueshme që ne kryesojmë listat e azilkërkuesve kur në Shqipëri nuk ka luftë”, deklaroi Erlis Çela – pedagog.
“Shqiptarët ikin sepse këtu jemi shndërruar në një përrua psiqik. Sepse ti thua një problem dhe qeveria thotë të duket ty sikur është problem. Pra ti vendos në pikëpyetje, jam në rregull apo s’jam?”, tha Edlira Gjoni – shoqëria civile.
Askush nuk kishte parashikuar përballjen me një tjetër luftë, atë virtuale. Sulme të njëpasnjëshme kibernetike duke cenuar privatësinë e shqiptarëve dhe sistemet shtetërore të informacionit.
“Problemi i vërtetë ka qenë se institucionet nuk kanë qenë të përgatitura për të mbrojtur gjithçka është hedhur online. Sulmet kibernetike mbi të dhënat tona, bankat tona, nuk e di nëse ka ngelur diçka pa u bërë publike. Ajo që do na shkundi vërtetë është nëse do të preken paratë tona. Ky do ishte fundi dhe unë nuk e di cilët janë hapat konkretë për të frenuar këtë”, u shpreh Edlira Gjoni – shoqëria civile.
“Prisnim që të kishte reagim, por unë mendoj se qeveria e la pas dore nuk u mblodh në kohë Këshilli i Sigurisë Kombëtare”, deklaroi Erlis Çela-pedagog.
Në vorbullën e panikut për krizën financiare, sulmeve kibernetike, sigurisë për jetën… besimi i shqiptarëve te drejtësia e re, për të luftuar korrupsionin ende nuk është zbehur tërësisht.
“Vazhdimisht retorika e këtij viti ka qenë e përqëndruar te SPAK-u, hetimet, çfarë do të bëjë ndryshe drejtësia e re? dhe nuk mendoj se ka arritur të jap përgjigje pritshmërive të shqiptarëve”, tha Erlis Çela-pedagog.
“Shqiptarët duan të gjithë të shohin pas hekurave peshqit e mëdhenj, por 2022 nuk solli ndonjë emër kaq të madh saqë ta bënte SPAK-un si përmbushësin e rolit që i kanë vendosur mbi supe”.
Surpriza e radhës e 2022 është mosardhja e dimrit. I ftohti që prisnim dhe flokët e borës si dhuratë festash, janë zëvendësuar me diell pranvere.
“Unë jam duke dhënë intervistë në fund të dhjetorit dhe jam e veshur vetëm me një bluzë, çfarë ka ndodhur me klimën ?”, deklaroi Edlira Gjoni – shoqëria civile.
Një hendek i thellë është krijuar mes pritshmërive dhe realizimeve, aq sa këtë fundvit, në pritje të 2023 i thua vetes mos prit asgjë nga askush, që të mos zhgënjehesh.
“Më e keqja sepse është burimi i gjithë të tjerave është ekonomia. Forcimi i çuditshëm i lekut që i zhvlerësohet vlera atij. Me të njëjtën shumë parash ti blen më pak. Pse ndodh kjo? Nuk ka transparencë për asgjë. Mbyllja e institucioneve në guaskën e tyre në një mënyrë shumë të frikshme më tepër seç ka qenë më parë”, u shpreh Edlira Gjoni – shoqëria civile.
“Nëse ne nuk garantojmë siguri për të ardhmen dhe nuk rimëkëmbim ekonominë, shpresa nuk do të rikthehet në këtë vend e do humbin edhe më shumë popullsinë”, tha Erlis Çela -pedagog.
Kur parashikoje se 2022 do të ishte viti i stabilizimit, i marrjes frymë nga problemet, në fund të bilanceve konkludon se ka ndodhur krejt e kundërta. Sfidat shtohen dhe në përballje me to, është rritur edhe numri i shqiptarëve me probleme të shëndetit mendor. Ankthi dhe pasiguria uroj të qëndrojnë në 2022, e shpresa të rikthehet me vitin e ri!
Top Channel