Zjarri shkatërrimtar në hotel-kazinonë në veri të Kamboxhias vret 19 vetë (fotot)

29/12/2022 18:57

Një zjarr masiv që zgjati më shumë se 12 orë, ka shkatërruar sot një hotel-kazino të njohur në veri të Kamboxhias duke lënë të vrarë 19 njerëz sipas autoriteteve, ndërsa ka ende njerëz të humbur që kërkohen nga grupet e shpëtimit.

Shumica e mjeteve dhe personalit zjarrfikës erdhën nga Tailanda fqinje për të ndihmuar në krizën e rëndë në qytetin e populluar kufitar Poipet.

Viktima të tjera besohet se kanë mbetur në dhomat e bllokuara ku grupet e shpëtimit nuk kanë mundur të hyjnë ende, tha zyrtari informacionit Sek Sokhom, teksa shtonte se rreth 60 njerëz ishin plagosur.

Viktimat e të plagosurit ishin të kombësive të ndryshme duke përfshirë tailandezë, kinezë, malajzianë, vietnamezë e kamboxhianë.

Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregonin shembje të tavanit në kazinonë Grand Diamond City në qytetin e Poipet, ku shumë prej stafit dhe klientëve janë nga Tailanda fqinje.

Kompleksi është më shumë se 12 kate i lartë dhe në disa video shiheshin njerëz që binin nga lartësia gjatë zjarrit gjigant, shkruanin mediat.

“Oh, ju lutem shpëtojini. Hidhni ujë, hidhni ujë!” thërrisnin të pranishmit në video.

Zjarri i nisur mbrëmjen e të mërkurës u vu nën kontroll vetëm sot në mesditë, thanë autoritetet.

Poipet në veri perëndim të Kamboxhias, është pranë qytetit më të pasur tailandez Aranyaprathet, me të cilin ka tregti të gjerë dhe turizëm.

Kazinotë në Tailandë janë të paligjshme por jo në vendet e saj fqinje si Burma (i njohur gjithashtu si Mianmar), Kamboxhia e Laos, të cilët presin industrinë e pasur ne te ardhura.

FOTO GALERI
1/7
Një zjarr masiv që zgjati më shumë se 12 orë, ka shkatërruar sot një hotel-kazino të njohur në veri të Kamboxhias duke lënë të vrarë 19 njerëz

Top Channel