Kina ishte vendi nga ku nisi pandemia gjunjëzuese e Covid 19-tës, dhe tani kur në pjesën tjetër të botës hovi i sëmundjes duket sikur është ndalur, Kina është ajo që po ngjall sërish shqetësime me një nënvariant të ri e mjaft infektues të koronavirusit, te pagëzuar si Gryphon.
Kjo situatë i ka shtyrë Shtetet e Bashkuara të kërkojnë teste të detyrueshme për udhëtarët kinezë, duke iu bashkuar kështu Indisë, Italisë, Japonisë dhe Tajvanit në marrjen e masave të reja pas vendimit të Pekinit për të hequr kufizimet e rrepta zero-COVID.
Nga data 5 janar, të gjithë pasagjerëve 2 vjeç e lart do t’u kërkohet një rezultat negativ nga testi i cili duhet të jetë kryer jo më shumë se dy ditë përpara nisjes nga Kina, Hong Kongu ose Makao.
Pasagjerët që rezultojnë pozitivë më shumë se 10 ditë përpara fluturimit mund të ofrojnë provë se janë shëruar në vend të rezultatit negativ të testit.
Ky vendim iu atribua mungesës së informacionit mbi variantet e virusit SARS-CoV-2 dhe shqetësimeve se numri i shtuar i rasteve me COVID në Kinë mund të rezultojë në zhvillimin e varianteve të reja të virusit.
Kina filloi këtë muaj heqjen e kufizimeve për COVID-19, më të rreptat në botë, duke nisur gradualisht dhe hapjen e ekonomisë me synimin për një rimëkëmbje të plotë të aktivitetit vitin e ardhshëm.
Por heqja e kufizimeve, sipas ekspertëve ndërkombëtare të shëndetit, do të thotë se COVID po përhapet kryesisht i pakontrolluar dhe ka të ngjarë të infektojë miliona njerëz në ditë, teksa Pekini është përballur me kritikat se të dhënat e tij zyrtare për COVID-in dhe shifrat për vdekjet nuk përputhen me shkallën e përhapjes.
Top Channel