Disa kamionë me të cilët ishte bllokuar rruga në vendin e njohur si Shkëmbi i Dudës në Mitrovicë të Veriut janë djegur gjatë natës.
Ekipi i Radios Evropa e Lirë është në vendin e ngjarjes dhe sjellë këto fotografi të kamionëve të djegur.
Deri më tani nuk ka ndonjë informacion zyrtar për djegin e tyre. REL ka kontaktuar Policinë e Kosovës mirëpo ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje
Këta kamionë ishin vendosur në këtë vend më 27 dhjetor, kur grupe të serbëve vendosën barrikada të reja në rrugët e veriut.
Djegia e këtyre kamionëve ndodh pikërisht në ditën kur pas 20 ditësh bllokimi pritet që të largohen barrikadat nga rrugët e katër komunave veriore Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç.
Lajmi për largimin e barrikadave u bë i ditur mbrëmjen e 28 dhjetorit, pasi presidenti i Serbisë, takoi përfaqësuesit e serbëve të Kosovës.
Largimi i barrikadave ishte kushtëzuar me lirimin nga paraburgimi të ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiç i cili u arrestua për dyshimet se kishte organizuar sulmin e kryer ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Kosovës në pjesën veriore në fillim të muajit dhjetor.
Pantiç u lirua dje nga paraburgimi pasi iu zëvendësua masa me atë të arrestit shtëpiak.
Në një protestë që u zhvillua në fshatin Rudarë të Zveçanit, përfaqësuesit politik të serbëve të Kosovës vendosën edhe kushte të tjera për heqjen e barrikadave përfshirë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe./ Radio Evropa e Lirë
Top Channel