Nga 10 të arrestuarit e policisë së Durrësit që tentuan të kalonin drejt Italisë 16 të mitur nga Kosova, gjykata la “arrest me burg” vetëm dy prej tyre. Të tjerët u lanë të lirë në prag të Vitit të Ri.
Për organizatorin e kalimit të paligjshëm të kufirit të 16 të miturve që u paraqitën si ekip sportiv në portin e Durrësit, gjykata e Durrësit caktoi “Arrest në burg”, 37-vjeçari Besmir Haxhikadria, i dyshuar për veprën penale të “Ndihmës për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Ndërkohë për 48-vjeçarin Blerim Bytyqi, i dyshuar për të njëjtën vepër penale, u caktua masa shtrënguese “Arrest në burg” me afat 30 ditë. Masa shtrënguese “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, dy herë në muaj, u caktua për 8 të arrestuarit e tjerë të policisë, shtetasit Aishe D., Qëndresa K., Dukagjin G., Drilon Sh., Endrit D., Fatmir Gj., Almir K dhe Fabion B.
Gjyqtari i seancës e vleftësoi të ligjshëm arrestimin e të dhjetë shtetasve kosovarë, në kushtet e flagrancës, ndërsa pasi dëgjoi palët urdhëroi lirimin e 8 prej personave nën hetim.
Dhjetë shtetasit kosovarë u kapën më 27 dhjetor në portin e Durrësit pasi tentuan që të kalonin drejt Italisë 16 të mitur, kundrejt fitimit 3000-4000 euro për secilin, duke u paraqitur si pjesë e një ekipi sportiv. Ndërsa të miturit u prezantuan në kufi si sportistë, të arrestuarit u prezantuan si menaxherë, trajnerë dhe fizioterapistë të ekipit.
Top Channel