Futja e testimit të detyrueshëm për koronavirusin brenda Bashkimit Evropian (BE) për udhëtarët që vijnë nga Kina, ku numri i të infektuarve është rritur, është “i pajustifikuar”, sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve me qendër në Stokholm.
Vendet e BE-së “kanë një nivel relativisht të lartë të imunizimit dhe vaksinimit” dhe “variantet e koronavirusit që qarkullojnë në Kinë tashmë po qarkullojnë në BE”, tha agjencia evropiane, duke shtuar se një masë e tillë nuk është e nevojshme në nivelin e të gjithë BE-së.
Sipas vlerësimit të asaj qendre, infektimi i mundshëm është mjaft i ulët në krahasim me numrin e të infektuarve që tashmë qarkullojnë në baza ditore.
Sistemet shëndetësore janë “tani në gjendje të menaxhojnë” sëmundjen, shtoi qendra evropiane.
Komisioni Evropian thirri sot një takim për të “diskutuar masat e mundshme për një qasje të koordinuar” të vendeve të BE-së ndaj rritjes së madhe të numrit të personave të infektuar me koronavirus në Kinë.
Disa vende, duke përfshirë Italinë, Japoninë dhe SHBA-në, kanë vendosur tashmë të prezantojnë teste të detyrueshme për të gjithë udhëtarët që vijnë nga Kina.
Top Channel