Kufizimet e vendosura gjatë pandemisë mbi kërkesat për azil mbeten në fuqi, zbehen shpresat e imigrantëve në kufirin meksikan

28/12/2022 18:00

Urdhri i Gjykatë së Lartë për të mbajtur përkohësisht në fuqi kufizimet e vendosura gjatë pandemisë mbi kërkesat për azil ka zbehur shpresat e imigrantëve që i janë larguar dhunës dhe pabarazisë në Amerikën Latine apo gjetkë, me synimin për t’u futur në Shtetet e Bashkuara.

Në një strehë të sapondërtuar, në Juarez të Meksikës, disa emigrantë presin lajme të reja, të tjerë kanë vendosur të kalojnë ilegalisht në SHBA.

Elias Rodríguez, drejtor i përgjithshëm i HOPE, një qendër humanitare në ndihmë të imigrantëve, paralajmëroi se nëse kufizimet do të mbeten në fuqi, atëherë imigrantët do të shohin mundësi të tjera për të kaluar në Shtetet e Bashkuara.

“Besoj se shumë nga këta njerëz që kanë ardhur këtu tani do të kalojnë ilegalisht kufirin, përmes maleve apo çdo mënyre tjetër që i çon ata në SHBA”, tha ai.

Angeles Colmeras, 23 vjeç, nga Venezuela tha se do të presë edhe pak, por nëse nuk do ketë ndonjë lajm atëherë do ndjekë rrugën e jashtëligjshme.

“Nuk kemi ende asgjë konkrete, por presim çfarë do ndodhë në këto orë, përndryshe do jetë koha për të kaluar ilegalisht kufirin”, tha ajo.

Ndërkohë, Norky Jamar, 34 vjeç, gjithashtu nga Venezuela, ndihet zemërthyer.

“Me lajmet që kemi marrë deri tani nuk kemi shumë shpresë, por kemi besim tek Zoti”, tha ai.

Vendimi i së martës mban në fuqi një pjesë të madhe të kufizimeve të vendosura gjatë administratës së zotit Trump, të cilat duhet të përfundonin me urdhër të gjykatës në 21 dhjetor.

Çështja do të shqyrtohet sërish në shkurt dhe urdhri i përkohshëm i lëshuar nga gjykatësi John Robert do të qëndrojë në fuqi derisa drejtësia të marrë një vendim të ri.

Kufizimet u vendosën gjatë Presidencës së Donald Trump në fillim të pandemisë dhe bazuar në këto masa, Shtetet e Bashkuara kanë refuzuar në kufi 2.5 milionë emigrantë që kanë kërkuar azil, me arsyetimin për të parandaluar përhapjen e Covid 19. Kufizimet njihen si Titulli 42, bazuar në ligjin për shëndetin publik të 1944.

Avokatët e emigracionit ngritën një padi për t’i dhënë fund përdorimit të Titullit 42.

Ata thanë se kufizimet bien ndesh me detyrimet e Shteteve të Bashkuara dhe ato ndërkombëtare ndaj njerëzve që duan të hyjnë në SHBA për t’i shpëtuar persekutimit.

Një gjykatës federal mbështeti argumentet e tyre gjatë një seance në nëntor duke përcaktuar se kufizimet përfundonin në 21 dhjetor.

Por shtetet konservatore apeluan vendimin në Gjykatën e Lartë, duke paralajmëruar se heqja e kufizimeve të vendosura gjatë pandemisë do të shkaktonte rritjen e numrit të emigrantëve duke dëmtuar shërbimet qeveritare si kujdesi shëndetësor.

Qeveria federale i kërkoi Gjykatës së Lartë të rrëzonte padinë e shteteve konservatore edhe pse pranoi se dhënia fund e kufizimeve do të shkaktonte një rritje të përkohshme të kalimit të paligjshëm në kufi.

Vendimi i Gjykatës së Lartë vjen në kohën kur mijëra emigrantë janë mbledhur në anën meksikane të kufirit, duke jetuar në strehëza ndërsa avokatët po përpiqen të gjejnë se si mund t’i ndihmojnë ata.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA