Të gjithë janë të interesuar që të dinë mënyrën se si bordi i transparencës përllogarit çmimin final me të cilën qytetarët blejnë naftën, benzinën dhe gazin.

Inside Story tani do të sjellë një format ekskluziv të kësaj përllogaritje, dokumente të cilat deri sot janë mbajtur të fshehta nga Bordi. Ky dokument që shihni, tregon përllogaritjen e çmimit të naftës që është bërë nga bordi në 31 maj 2022 dhe është publikuar një ditë më pas.

Aty renditen të dhënat mbi të cilat është përllogaritur çmimi i naftës që ka hyrë në fuqi në datën 1 qershor 2022. Çmimi i bursës FOB Med është 1244 dollar për ton. Çmimi Premio është llogaritur në 66 dollar për ton. Kursi ditor i Bankës së Shqipërisë është 112.92 lekë. Ndërsa kursi zyrtar i këmbimit sipas doganës është 115.18 lekë. Pra në këmbimin e lekëve kemi dy kurse ku ai i doganës është më i lartë. Në rastin konkret përllogaritjet tregojnë se bordi ka marrë për bazë kursin e bankës.

Këto të dhëna përkthehen në çmimin e blerjes për ton, që shkon në 147.925 lekë. Ndërsa çmimi i blerjes për litër është 125 lekë. Këtu shtohen, vlera statistikore në doganë 2 lekë për litër, akciza 38.22 lekë, taksa e qarkullimit 27 lekë, taksa e karbonit 3 lekë, TVSH 39 lekë. Totali i taksave për litër është 107 lekë, markimi dhe skanimi është 1 lekë. Nga kjo kemi një total kosto blerje dhe çdoganim në vlerën e 233 lekëve.

Kësaj vlere kompanitë e tregtimit me shumicë i shtojnë edhe marzhin e fitimit 3 lekë për litër. Këtu na del çmimi i shitjes me shumicë që është 236 lekë për litër. Por kompanitë e tregtimit me pakicë i shtojnë edhe marzhin e tyre të fitimit që është 12 lekë për litër. Kështu konsumatori fundor do ta blejë me 248 lekë litrin e naftës.

Kjo përllogaritje është bërë më 31 maj 2022 nga bordi i transparencës. Ndërkohë që ky është njoftimi zyrtar që është shpërndarë për median një ditë më pas, sa i përket rritjes së çmimit të karburanteve.

Top Channel