Akuza të reja ndaj ligjvënësit republikan amerikan që gënjeu në CV-në e tij

28/12/2022 16:22

Ligjvënësi i sapozgjedhur, republikani nga Nju Jorku Goerge Santos po përballet me akuza se ka gënjyer rreth përvojës së punësimit dhe shkollimit, gjatë fushatës së suksesshme për një vend në Dhomën e Përfaqësuesve. Së fundmi ndaj tij janë shfaqur akuza të reja, që lidhen me pretendimet e tij se ka trashëgimi hebraike.

Dy ditë pasi pranoi se gënjeu rreth përvojës së punësimit dhe shkollimit në fushatën e tij për një vend në Dhomën e Përfaqësuesve, ligjvënësi i sapozgjedhur nga Nju Jorku, republikani George Santos po përballet me akuza të reja për pretendimet e tij se ka trashëgimi hebraike.

“Ai na mashtroi dhe keqintepretoi trashëgiminë e tij. Në komentet publike dhe tek ne personalisht, ai pretendonte se ishte hebre”, thuhet në një reagim të koalicionit republikan hebraik.

Grupi lëshoi këtë deklaratë një ditë pasi ligjvënësi Santos i tha gazetës “New Yok Post” se ai “kurrë nuk pretendoi se ishte hebre”, pavarësisht asaj që gazeta e cilësoi si mesazh të fushatës së tij në internet, se nëna e tij është hebreje dhe se gjyshërit e tij arritën t’i shpëtinin nazistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Unë jam katolik. Kur mësova se familja ime nga ana e nënës kishte prejardhje hebraike, thash se jam hebre”, citoi gazeta New York Post ligjvënësin Santos.

Udhëheqësit republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve kanë heshtur rreth këtij debati.

Dy kolegët e tij republikanë, Nick LaLota dhe Anthony D’Esposito, thanë se njujorkezët, të cilët ata përfaqësojnë, janë të shqetësuar nga situata e krijuar.

Por republikani Santos ka këmbëngulur se polemikat e krijuara nuk do ta pengojnë atë të ketë sukses si ligjvënës.

“Mëkati im është zbukurimi i CV-së sime. Më vjen keq”, tha ai për New York Post.

Ai hodhi poshtë komentet e bëra në një artikull të gazetës New York Times se ishte akuzuar për mashtrim në Brazil, pasi u kap duke lëshuar pagesa me një libër të vjedhur çeqesh.

Zoti Santos mori detyrën e ligjvënësit pasi mposhti në nëntor demokratin Robert Zimmerman.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA