Më shumë se 300.000 banorë të Kievit kanë mbetur pa energji elektrike mëngjesin e sotëm, dhe në disa rrethe nuk ka ngrohje dhe ujë, tha sot nënkryetari i parë i administratës së qytetit, Nikolay Povoroznik.
“Së fundmi kemi arritur të stabilizojmë situatën e energjisë elektrike në qytet. Megjithatë, nga dita e sotme, ndërprerjet emergjente të energjisë elektrike vijojnë ende në rrethe të ndryshme të kryeqytetit. Për shembull, këtë mëngjes mbi 300.000 konsumatorë në Kiev nuk kishin energji elektrike”, tha Povoroznik.
Përveç kësaj, tha ai, edhe rrethet pa energji elektrike nuk kanë as ngrohje e as ujë.
“Para së gjithash, bëhet fjalë për ndërtesa të larta që furnizohen me ujë me pompa. Nuk funksionojnë as impiantet e kaldajave në qytet, të cilat ende nuk i kemi pajisur me agregate”, ka thënë zyrtari ukrainas.
Më 9 dhjetor, kryeministri i Ukrainës Denis Shmykhal tha se kufizimet në konsumin e energjisë në vend do të jenë në fuqi gjatë gjithë dimrit, pasi të gjitha termocentralet dhe hidrocentralet, si dhe 40 objekte të rrjetit të tensionit të lartë, pësuan shkallë të ndryshme dëmtimi.
Top Channel