Sondazhi: Mungesa e mbështetjes së votuesve të pavarur kontribuoi në rezultatin e dobët të republikanëve

26/12/2022 21:21

Një sondazh gjithëpërfshirës i elektoratit në Shtetet e Bashkuara, i kryer nga agjencia Associated Press dhe organizata VoteCast, arrin në përfundimin se kandidatët republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve në mbarë vendin fituan mbështetjen e 38% të votuesve të pavarur gjatë zgjedhjeve të Kongresit të muajit të kaluar.

Kjo mbështetje e dobët mes të pavarurve ndihmon për të shpjeguar faktin se përse partia republikane arriti vetëm nëntë vende epërsi në Dhomën e Përfaqësuesve, gjë që ka ngritur pikëpyetje në lidhje me aftësinë e saj për të qeverisur. Disa strategjistë republikanë thonë se kjo është një shenjë që tregon se mesazhet që rezonojnë gjatë zgjedhjeve paraprake partiake, përfshirë kritikat e ashpra ndaj Presidentit Joe Biden, ishin më pak efektive në fushatën zgjedhore. Arsyeja, thonë ata, është pasi votuesit e pavarur po kërkonin më shumë sesa thjesht të mbështesin një opozitë.

Ndërsa reklama përmbyllëse e republikanit Tyler Kistner u transmetua muajin e kaluar në një nga distriktet më konkurruese të kongresit në SHBA, Vickie Klang ndjeu se diçka mungonte.

Ndihmësveterinarja 58-vjeçare dhe votuesja e pavarur vëzhgonte teksa spoti prej 30 sekondash shfaqte imazhe bardh e zi të Presidentit Joe Biden me deputeten demokrate për dy mandate Angie Craig përkrah tij. Reklama e përshkroi në mënyrë ogurzezë jetën në Amerikë si “të rrezikshme dhe të papërballueshme” për shkak të një aleance midis dy demokratëve.

Përtej kritikave për demokraten Angie Craig, ajo që mungonte në reklamë, mendoi Vickie Klang, ishte zgjidhja që do të sillte kandidati Kistner.

“Ti nuk thua se çfarë do të bësh për shtetin apo vendin,” kujton zonja Klang. “Ky është një zhgënjim i madh”.

Zonja Klang përfundimisht mbështeti demokraten Angie Craig, duke kontribuar në një fitore me 5 përqind për një mandat të tretë, të cilën republikanët shpenzuan më shumë se 12 milionë dollarë fonda për ta rrëzuar. Sipas sondazhit nga AP VoteCast në të gjithë vendin, republikanët u përballën me pengesa të ngjashme të papritura me një pjesë të vogël, por vendimtare të votuesve që nuk identifikohen me asnjërën nga partitë kryesore.

Kandidatët republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve në mbarë vendin fituan mbështetjen e 38% të votuesve të pavarur në zgjedhjet afatmesme të muajit të kaluar, tregoi sondazhi. Kjo është shumë më pak se 51% mbështetje që morën demokratët nga i njëjti grup në vitin 2018, kur ata erdhën në pushtet duke marrë 41 vende më shumë në Kongres. Mbështetja e vogël ka ngritur pikëpyetje në lidhje me aftësinë e partisë për të qeverisur.

“Duhet t’u tregosh votuesve se çfarë do të bësh,” thotë David Winston, një anketues republikan dhe këshilltar i lartë i republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve, i cili ka qenë kritik ndaj strategjisë së mesazheve të kandidatëve republikan këtë vit. “Në një farë mënyre, fushatat republikane arritën të dështonin në këtë pikë. Dhe ky është një problem vërtet serioz”.

Mesazhi i republikanit Kistner, ashtu si ai i sfiduesve të tjerë republikanë që dështuan në garë, dukej se synonte të bënte për vete më shumë republikanët sesa votuesit e lëkundur: thjesht duke e lidhur kandidaten Craig me zotin Biden dhe kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, gjerësisht jopopullore për republikanët.

Udhëheqësi i pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, doli me një propozim fushate në shtator të titulluar “Përkushtimi ndaj Amerikës”, që synonte të ishte axhenda e partisë republikane. Megjithatë, propozimi, një koleksion objektivash të ripërsëritura si rritja e prodhimit vendas të naftës, ishte pa shumë hollësi dhe u përmend pak gjatë fushatës.

Sondazhi AP/VoteCast sugjeron se votuesit e pavarur bënë dallimin midis problemeve me të cilat përballet vendi dhe fajësisë së Bidenit për to. Ndërsa pak të pavarur thanë se ekonomia po ecën mirë dhe rreth dy të tretat nuk e miratuan punën e presidentit Biden, të pavarurit kishin më shumë gjasa të pranonin se inflacioni është rezultat i faktorëve jashtë kontrollit të zotit Biden sesa është shkaktuar për faj të tij (51% me 47% sipas sondazhit).

Por kjo nuancë shpesh mungonte në mesazhin politik të republikanëve.

Demokratët dolën dukshëm më mirë mes të pavarurve të vërtetë dhe atyre që anojnë drejt një partie sesa në zgjedhjet e fundit të mesmandatit, kur kanë patur gjithashtu Shtëpinë e Bardhë.

Sondazhi tregon gjithashtu se rreth 7 në 10 votues të pavarur që nuk janë në anën e asnjërës parti mendojnë se aborti duhet të jetë i ligjshëm në shumicën ose në të gjitha rastet. Gjithashtu sondazhi zbuloi se shumë votues në linja partiake hezitonin të mbështesnin kandidatët që konsideroheshin ekstremë./ VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA