Kina po organizon një nga inkursionet (veprime të menjëhershme luftarake të papritura) e saj më të mëdha deri më tani në detet dhe qiejt rreth Tajvanit, sipas të dhënave nga ministria e mbrojtjes e ishullit.
71 avionë të forcave ajrore kineze, duke përfshirë avionë luftarakë dhe dronë, kanë hyrë në të ashtuquajturën zonë identifikimi të mbrojtjes ajrore të Tajvanit.
Tajvani është i vetëqeverisur, por Kina e sheh atë si një provincë të shkëputur me të cilën do që të ribashkohet përfundimisht.
Tensionet mes dy palëve janë rritur në mënyrë të vazhdueshme muajt e fundit.
Në gusht, Pekini u tërbua nga një vizitë në ishull nga Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA Nancy Pelosi, politikania më e lartë amerikane që vizitoi Tajvanin në 25 vjet.
Kina iu përgjigj asaj vizite duke mbajtur stërvitjet e saj më të mëdha ushtarake në detet rreth Tajvanit, dhe gjithashtu bllokoi disa tregti me ishullin.
Ministri i Jashtëm i Tajvanit Joseph Wu dënoi veprimin e Kinës në atë kohë duke e cilësuar si shumë provokues. Kina nuk ka thënë kurrë se nuk do të përdorte forcën për të vënë nën kontrollin e saj Tajvanin.
Të hënën, ministria e mbrojtjes e Tajvanit tha se 43 avionë kinezë kishin kaluar mbi të ashtuquajturën vijë mesatare, që ndan të dy palët brenda zonës së mbrojtjes ajrore.
Kina tha se kishte kryer “stërvitje sulmi” rreth Tajvanit të dielën në përgjigje të asaj që ajo tha se ishte provokim nga ishulli dhe SHBA.
Uashingtoni ka ecur gjithmonë në një litar të ngushtë diplomatik mes dy palëve për çështjen e Tajvanit.
Top Channel