Mbreti Charles mban fjalimin për ditën e Krishtlindjes, hera e parë pas vdekjes së nënës së tij

25/12/2022 17:25

Mbreti Charles ka mbajtur fjalimin e tij të rëndësishëm për ditën e Krishtlindjeve në Mbretërinë e Bashkuar.

Kjo është hera e parë që ai del në një fjalim publik pas vdekjes së nënës së tij, Mbretëreshës Elizabeth në shtator.

Ai foli për vdekjen e nënës së tij dhe përjetimet që po kalon në këto ditë festash.

“Unë jam duke qëndruar këtu në këtë kapelë të shkëlqyer të Shën Gjergjit në Kështjellën Windsor, aq afër vendit ku është prehur nëna ime e dashur, mbretëresha e ndjerë, me babanë tim të dashur. Më kujtohen letrat, kartat dhe mesazhet thellësisht prekëse që shumë prej jush i keni dërguar gruas sime dhe vetes time dhe nuk mund t’ju falënderoj sa duhet për dashurinë dhe simpatinë që i keni treguar gjithë familjes sonë.

Krishtlindja është një kohë veçanërisht prekëse për të gjithë ne që kemi humbur të dashurit. Ne e ndiejmë mungesën e tyre në çdo moment të njohur të sezonit dhe i kujtojmë në çdo traditë të dashur.

Besimi i nënës sime në fuqinë e asaj drite ishte një pjesë thelbësore e besimit të saj në Zot, por edhe besimit të saj te njerëzit dhe është një gjë që e ndaj me gjithë zemër. Është një besim në aftësinë e jashtëzakonshme të çdo personi për të prekur, me mirësi dhe dhembshuri, jetën e të tjerëve dhe për të ndriçuar një dritë në botën përreth tyre. Ky është thelbi i komunitetit tonë dhe vetë themeli i shoqërisë sonë”, u shpreh Mbreti.

Më pas ai përmendi punëtorët e Mbretërisë së Bashkuar dhe punën e palodhshme që ata bëjnë, njëkohësisht edhe personat që ndihmojnë të tjerët.

“Ne e shohim këtë tek profesionistët tanë shëndetësorë dhe të kujdesit social, mësuesit tanë dhe në të vërtetë të gjithë ata që punojnë në shërbimin publik, aftësitë dhe përkushtimi i të cilëve janë në zemër të komuniteteve tona.

Unë veçanërisht dua të nderoj të gjithë ata njerëz të mrekullueshëm dashamirës që japin me bujari ushqim ose donacione, ose atë mallin më të çmuar nga të gjitha, kohën e tyre, për të mbështetur ata rreth tyre në nevojën më të madhe, së bashku me shumë organizata bamirëse që bëjnë një gjë të tillë. Punë e jashtëzakonshme në rrethanat më të vështira. Solidariteti i tillë i përzemërt është shprehja më frymëzuese e dashurisë ndaj të afërmit tonë si veten tonë”, shtoi më tej Mbreti Charles.

Ky është një moment historik për monarkinë, pas një sërë arsyesh. Gjithashtu hera e parë që një monark mban fjalim në ditën e Krishtlindjes që nga vdekja e babait të Mbretëreshës Elizabeth 70 vjet më parë, ai ishte mbreti i fundit që bëri një fjalim të tillë në vitin 1951.

Herën e fundit që Mbreti Xhorxh VI foli më 25 dhjetor, ai u transmetua me valë: televizioni ishte ende një teknologji relativisht e re dhe jo në pronësi të gjerë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA