Krishtlindjet, Papa: Bota është “e uritur” për paqe, t’i jepet fund luftës!

25/12/2022 14:16

Në mesazhin e tij vjetor të Krishtlindjes, Papa Françesku bëri thirrje që ti jepet  “fund menjëherë” asaj që ai e përshkroi si “luftë të  pakuptimtë në Ukrainë” duke theksuar se bota kërkon me domosdoshmëri paqe.

Duke folur para një turme të madhe njerëzish, ati i shenjtë tha se “në nivel ndërkombëtar ekziston rreziku i shmangies së dialogut, që con në rrugë më të gjata për zgjidhjen e konflikteve.

“Ne vazhdojmë të jemi dëshmitarë të një numri në rritje të konflikteve, krizave dhe mosmarrëveshjeve. “Këto duket se nuk mbarojnë kurrë dhe tani mezi i vëmë re. Ne jemi mësuar aq shumë me to, sa tragjeditë e mëdha po kalojnë në heshtje. Prandaj në  këtë ditë dashurie, le të kemi vetëm një frikë: atë që të ofendojmë dashurinë e Zotit, ta lëndojmë atë duke përçmuar të varfrit me indiferencën tonë”- ishte mesazhi Papës.

Ndërkohë anë e mbanë botës janë zhvilluar festime për Krishtlindje. Në  qytetin biblik të Betlehemit me mijëra vizitorë iu bashkuan festimeve, pasi për dy vitet e fundit, pandemia i ka mbajtur larg.

Edhe në Irak me mijëra morën pjesë në shërbimin e Krishtlindjeve në Kishën Katolike Siriane e cila pak kohë më parë mori bekimin e papa Franceskut.

Atmosferë festë u ndje edhe në Stamboll, me qindra u mblodhën në kishën e Shën Antonit të Padovës.

Por këto Krishtlindje nuk do të jenë festë për të gjithë. Për Ukrainasit lutjet janë që lufta të mbarojë sa më  shpejt. Presidenti Volodymyr Zelenskyy dha një mesazh sfidues për Krishtlindje .

“Ne nuk do të presim për mrekulli, por do ta bëjmë vetë”, tha ai. “Kemi duruar sulme, kërcënime, shantazh bërthamor, terror dhe sulme raketash,” tha Zelenskyy në një rruge të errësuar, me disa drita vezulluese dhe një pemë Krishtlindjeje në sfond. “Ne besojmë se lotët do t’i lënë vendin gëzimit, se shpresa do të vijë pas dëshpërimit dhe vdekja do të mposhtet nga jeta,” tha Zelenskyy.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA