Tri organizata të mëdha jo-qeveritare (OJQ) kanë pezulluar punën e tyre në Afganistan pasi talibanët i ndaluan gratë që të punojnë për to.
Në një deklaratë të përbashkët, Care International, Këshilli Norvegjez i Refugjatëve (NRC) dhe Save the Children, thanë se nuk do të mund të vazhdonin punën e tyre “pa stafin tonë me gra”.
Organizatat kërkojnë që gratë të vazhdojnë të punojnë për to.
Talibanët që janë në pushtet në Afganistan po shtypin vazhdimisht të drejtat e grave.
Ky njoftim i organizatave vjen vetëm disa ditë pasi talibanët ndaluan gratë të studiojnë në universitete.
Talibanët njoftuan për ndalesën që gratë të ndjekin shkollimin në universitete më 20 dhjetor, përmes një letre që Ministria e Arsimit iu dërgoi institucioneve të arsimit të lartë. Ky vendim u dënua nga komuniteti ndërkombëtar dhe Kombet e Bashkuara.
Abdel Rahman Habib, zëdhënës i ministrisë së Ekonomisë të Talibanëve, pohoi se punonjëset gra në OJQ-të e huaja kanë shkelur kodet e veshjes – duke refuzuar të veshin hixhabin.
Ata kanë kërcënuar se së shpejti do t’i heqin licencën çdo organizate që nuk i përmbahet këtyre rregullave.
Gratë në Afganistan kanë organizuar protesta duke kërkuar të drejta për arsim, punë dhe liri, por këto protesta talibanët vazhdimisht i kanë shtypur duke i rrahur pjesëmarrësit, duke i kërcënuar, por edhe duke i arrestuar protestuesit.
Talibanët rifituan kontrollin e Afganistanit në vitin 2021, dy dekada pasi një koalicion ushtarak i udhëhequr nga SHBA-ja i rrëzoi ata nga pushteti.
Top Channel