Dy të mitur shqiptarë janë sulmuar të enjten rreth orës 16:00 nga disa persona në “Kodër të Minatorëve” të Mitrovicës së Veriut.

Policia njofton se njëri nga të miturit ka marrë edhe trajtim mjekësor, ndërsa kanë thënë se janë sulmuar nga persona të nacionalitetit serb.

Prokuroria Themelore e Mitrovicës ende nuk ka identifikuar personat që dyshohet se kanë kryer sulmin, por tregon se po vazhdon hetimet.

Sulmet ndaj qytetarëve të Mitrovicës së Veriut dhe komunave të tjera veriore janë shtuar edhe më shumë që nga vendosja e barrikadave nëpër rrugë.

Së fundmi është raportuar se katër qytetarë serbë janë rrëmbyer nga persona të panjohur dhe janë dërguar për në Serbi.

Gjithashtu mësohet se këta persona janë keqtrajtuar nga po këta persona të paidentifikuar.

Ndërkaq, edhe për këto raste, policia e prokuroria thonë se po vazhdojnë me hetimet.

Top Channel