Koreja e Veriut lëshoi dy raketa balistike me rreze të shkurtër të premten, tha ushtria e Seulit.
Koreja e Veriut ka bërë disa teste me raketa këtë vit duke përfshirë lëshimin e raketës balistike ndërkontinentale më të avancuar muajin e kaluar.
“Ushtria jonë vërejti dy raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi të lëshuar nga Koreja e Veriut në Detin Lindor nga zona Sunan e Phenianit,” tha shefi i përbashkët i shtabit të Koresë së Jugut, duke iu referuar asaj që njihet si Deti i Japonisë.
“Ushtria jonë mban një pozicion gatishmërie të plotë, ndërsa bashkëpunon ngushtë me SHBA-në duke forcuar mbikëqyrjen dhe vigjilencën”, tha tutje ai.
Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut kanë paralajmëruar prej muajsh se Pheniani po përgatitet të kryejë testin e shtatë bërthamor.
Të dy vendet mbajtën një stërvitje të përbashkët ajrore të martën dhe vendosën një bombardues strategjik amerikan B-52H në gadishullin korean, sipas Shefave të Shtabit të Përbashkët të Koresë së Jugut.
Bombarduesi i rëndë me rreze të gjatë ishte pjesë e një stërvitjeje që përfshinte avionët më të avancuar të SHBA-së dhe Koresë së Jugut — duke përfshirë F-22 dhe F-35.
Lansimi i raketës të premten erdhi disa orë pasi Shtëpia e Bardhë tha se Pheniani i kishte dorëzuar armë grupit ushtarak privat rus Wagner.
Top Channel