Peruja dëbon ambasadorin e Meksikës pas dhënies së azilit për familjen e ish-presidentit (video)

21/12/2022 18:23

Peruja shpalli sot “persona non grata” ambasadorin e Meksikës në Lima dhe urdhëroi largimin e tij nga vendi brenda 72 orëve.

Zhvillimi i ashpër vjen pasi ambasadori meksikan Pablo Monroy njoftoi se vendi i tij kishte pranuar kërkesën e azilit për familjen e Pedro Castillo, i shkarkuar muajin që kaloi nga posti i presidentit peruan me akuza grushti-shteti.

Vetë Castillo është i arrestuar dhe përballet me akuza rebelimi për tentativën e marrjes së pushtetit absolut të vendit dhe shpërndarjen e parlamentit më 7 dhjetor.

Largimi i Monroy erdhi prej “deklaratave të përsëritura të vendit të tij në lidhje me situatën politike në Peru,” sipas një postimi të ministrisë së jashtme vendore.

Ministri i jashtëm meksikan Marcelo Ebrard tha në rrjetin Twitter se dëbimi është “i pajustifikueshëm dhe i kundërshtueshëm”. Ebrard tha se qeveria e tij po negocjon për transferimin e familjes së Castillo e cila është strehuar brenda ambasadës së tyre në Lima.

Vetë Castillo kishte tentuar të hynte në ambasadë për tu strehuar, por është arrestuar para se të shpëtonte.

Ish-presidenti mbetet në paraburgim gjatë kohës së hetimit të akuzave të rebelimit dhe komplotit, që janë ngritur kundër ish-mësuesit që drejtonte partinë “Partia Marksiste, Peruja e Lirë”.

Javës që shkoi presidenti meksikan Andres Manuel Lopez Obrador kritikoi largimin e Castillo duke thënë se duhet të vijojë të jetë lideri i Perusë.

Argjentina, Bolivia, Kolumbia e Meksika në një deklaratë të përbashkët kritikuan largimin e presidentit peruan si “jo-demokratik”.

Presidentja e re Dina Boluarte, ish-zëvendësi e Castillo thirri në vend të gjithë ambasadorët e huaj, duke cituar si arsye “ndërhyrje të papranueshme në punët e brendshme të vendit”.

Vendi ka miratuar zgjedhje të parakohshme vitin që vjen.

Pas tentativës së Castillo për shpërndarjen e parlamentit me dekret në 7 dhjetor, deputetët e larguan nga posti dhe teksa tentonte të arratisej, u arrestua.

Vendi është përfshirë nga protesta të gjera që kanë detyruar administratën e Boluarte të shpallë gjendje emergjence për 30 ditë.

“Meksika po strehon një të korruptuar”, tha deputetja opozitare peruane Maria del Carmen Alva për gazetarët.

Por presidenti meksikan Lopez Obrador tha se qeveria e tij nuk ndërhyn në punët e brendshme të vendeve të tjera.

FOTO GALERI
3/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA