Ditën e sotme janë hedhur themelet e Teatrit të ri Kombëtar, në vendin ku u shemb teatri i vjetër, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Rama.
Teksa e cilësoi si gurë të çmuar dhe aset të rëndësishëm kulturor për Tiranën, Rama tha se teatri i ri do të jetë edhe me vlera ndërkombëtare, njëjtë si stadium i ri që priti edhe një finale europiane.
Rama kujtoi se godinës së vjetër i kishte ‘shpallur luftë’ që prej viteve kur ishte ministër i kulturës, teksa tha se teatri duhet të ishte rindërtuar shumë vite më parë.
“Kjo është historia bashkëkohore e zhvillimit të këtij vendi. E kam menduar pse komuniteti i Teatrit duke i lënë mënjanë ata të cilët, teatrin apo stadiumin, sheshin Skënderbej, apo të gjitha veprat e tjera i kanë parë si platforma për të kërcyer vallen e shpatave të politikës. Pavarësisht bindjeve, normale që janë të ndryshme, kishin një mos-besim thuajse konsensual lidhur me këtë proces dhe dëshirën e vullnetin për të ndërtuar një teatër të denjë si Teatri Kombëtar. Nuk arrij dot t’i jap përgjigje shteruese kësaj pyetje, por për shumë kohë komuniteti i teatrit u pajtua në pamundësi për ta ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve me inercinë. Nuk u bë mbarë askush t’i hynte punës për të ndërtuar një teatër të ri kombëtar. Hynë në mes paragjykimet, keni parë shumë skena le të themi shqyerje të pronave e të pasurive publike në dekada. Vetvetiu u krijua një instinkt me idenë që kjo ishte një grackë e madhe dhe teatri do ishte një alibi, për qëllim fitimi.
Më vjen mirë që të gjitha këto u fashitën, nuk e heq veten mënjanë un ja kisha shpallur luftën asaj godine që në 1998 kur u bëra ministër Kulture, por kaloi shumë kohë. Gjatë kësaj kohë mund ta kishim teatrin kohë më parë, por besoj se nuk do kishim pasur këtë projekt që kemi sot. Nuk do kishim arritur në këtë projekt. Ky është një tjetër gur i çmuar në një gjerdan veprash, që e kanë nxjerrë Tiranën si një një kryeqytet europian, ku bëhen gjëra që tërheqin vëmendjen edhe të tjerëve. Është shumë e lehtë sot për të bërë një paralele me stadiumin që e kishim dhe që as për stadium nuk mund të përdorej dot më, pasi u fut në listën e zezë të FIFA-s. Ndërkohë, vazhdonte një rezistencë absurd për të mos e prekur stadiumin. Për t’i rënë shkurt, ne e ndërtuam stadiumin, askujt nuk i ka shkuar mendja që në Shqipëri mund të luhej një finale europiane dhe Tirana të merrte sytë e gjithë botës mbi vete. Ajo që mbetet do të jetë vepra, një vepër do isha i lumtur që do isha bashkë me Robert Ndrenikën dhe Tinka Kurtin për të hapur dyert. Çfarë nuk ecën e keni me lali Erin, unë e mbarova punën time”- tha Rama në fjalën e tij.
Top Channel