Kosova e ka në agjendën e saj çështjen e blerjeve të dronëve Bayraktar nga Turqia, sipas ministrit të Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka nga komuniteti turk. Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka reaguar.

Qeveria e Kosovës e ka në agjendën e saj  dhe po punon për çështjen e blerjeve të dronëve ushtarakë të prodhimit turk, Bayraktar. Kështu ka thënë  ministri i Zhvillimit Rajonal në qeverinë e Kosovës, Fikrim Damka, për agjencinë shtetërore të lajmeve turk Anadolu, shkruajnë mediet në Prishtinë.

Fikrim Damka, është pjesë e qeverisë,  vjen nga komuniteti turk i Kosovës dhe sipas tij, blerja e armëve “do të përdoret vetëm për mbrojtjen e vendit”. “Sigurisht që çështja e dronëve me armë është edhe në agjendën tonë. Lidhur me këtë shteti ynë zhvillon punime çdo herë. Janë realizuar vizita, shembull,  presidentja jonë Vjosa Osmani dhe ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj e kanë vizituar fabrikën ku prodhohen dronët Bayraktar. Natyrisht që ky është një proces afatgjatë dhe çdo shtet dëshiron të ketë dronët në shtëpinë e vet, në magazinën e arsenalit të tij ushtarak”, citohet ministri Damka, ndonëse dikasteri që ai drejton në qeverinë e Kosovës nuk ka të bëjë më çështjet ushtarake apo blerjen e armëve për Forcën e Sigurisë së Kosovës FSK. Megjithatë Damka thekson, se nuk ka informacione shtesë lidhur me atë se sa buxhet mund të shfrytëzohet për dronë të tillë.

Turqia e ka ndihmuar Forcën e Sigurisë së Kosovës deri tani kryesisht përmes donacioneve. Vetëm para pak kohësh Kosova dhe Turqia kanë nënshkruar kontratë për blerjen e automjeteve ushtarake të blinduara me pajisje armatimi.

Kosovo Türkei Vjosa Osmani bei ErdoganVjosa Osmani në vizitë tek presidenti Erdogan

Vuçiq: Nuk është as lajm i lehtë dhe as i mirë për ne

Pas publikimit të lajmit, se Kosova mund të blejë dronët ushtarak turq Bayraktar, reagoi menjëherë presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, i cili nga një vizitë që zhvillonte në Azerbajxhan, tha se ky nuk është lajm i mirë dhe se kjo mund të ndikojë në marrëdhëniet e Serbisë me Turqinë. “Nuk është as lajm i lehtë dhe as i mirë për ne dhe kjo do të ndikojë në marrëdhëniet tona, edhe pse ne e respektojmë shumë presidentin Erdogan”, tha Vuçiq, për mediet serbe. Sipas tij, megjithatë, shpreson që së shpejti “do të mund të mburren me një numër të konsiderueshëm të dronëve kamikazë dhe avionëve të tjerë”.

Dronët Bayraktar, prodhim turk për herë të parë kanë fluturuar në vitin 2014. Dronët e tillë të llojit TB2, përdoren nga ushtritë e disa shteteve dhe së fundi janë dërguar edhe në Ukrainë për të ndihmuar forcat ukrainase që të luftojnë kundër pushtimit rus.

Kosovo Rudare Proteste von Kosovo-Serben im Norden

Gjendje e tensionuar

Ndërkohë vazhdojnë debatet e nxehta dhe ashpërsimi i retorikës politike Kosovë Serbi. Në veriun e Kosovës, prej 11 ditësh serbët lokalë po mbajnë të barrikaduara rrugët kryesore në veriun e Kosovës, si shenjë pakënaqësie për arrestimin e një ish-polici serb, Dejan Pantiq. Policia e Kosovës njoftoi se gjatë natës së shkuar janë dëgjuar dy shpërthime të fuqishme në Mitrovicë të Veriut, që dyshohet të jenë shkaktuar nga hedhja e shok bombave. Sipas Policisë, njësitet patrulluese policore kanë raportuar se shpërthimet kanë ndodhur rreth orës 20:45 dhe 21:20 në Lagjen e Boshnjakëve dhe te Tre Rrokaqiejt, afër urës kryesore mbi lumin Ibër.

“Bazuar në informacionet e deritanishme nuk është raportuar për ndonjë lëndim apo dëm material”, tha policia e Kosovës. Njëri shpërthim në lagjen e Boshnjakëve ndodhi afër ekipit të gazetarëve të një televizioni lokal. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) shprehu shqetësim për sigurinë e gazetarëve dhe kërkoi nga organet që të marrin masa për sigurinë e tyre. “Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës shpreh shqetësimin e thellë ndaj situatës së krijuar në veri të vendit, dhe u bën thirrje të gjithë kolegëve që të kenë kujdes të shtuar gjatë raportimeve të tyre nga kjo pjesë. Njëherësh, AGK-ja, sërish kërkon nga organet kompetente të ndërmarrin masat e duhura që të sigurojnë gazetarët të kryejnë punën e tyre pa u rrezikuar e penguar”, thuhet në reagimin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës./DW

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA