Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së mërkurës procesin e rindërtimit të shtëpive të shkatërruara nga tërmeti. Në redaksinë e emisionit investigativ u ankua zonja Flora Ismaili, e cila u ankua se i është rindërtuar shtëpia, por pa kaluar as 1 muaj, shtëpisë i pikon çatia.

Flora jeton në zonën e Kombinatit, Tiranë, me bashkëshortin dhe vajzën e mitur, ndërsa nuk kanë asnjë të ardhur. “Ma ka lënë për ibret të Zotit.

Çdo gjë të prishur. Më pikon shtëpia në të gjitha dhomat” thotë ajo, ndërsa tregon se shtëpia e vjetër i është prishur nga tërmeti.

“U rindërtua dhe ja kjo është shtëpia. Në nëntor 2022 jam futur brenda se e pashë që s’po bënin gjë. E mora inxhinierin më tha mos më kërcëno.

I thashë për punën e plaçkave, pa asnjë gjë. Unë jam invalide, 70 mijë lekë marr. Fëmijën e kam në shkollë. Ça do bëj unë me to. Deri dje isha me qira, ma paguante dhëndëri” thotë Flora, ndërsa shton se ajo vetë nuk punon dot se është e sëmurë. “Burrin e kam me tension dhe diabet. Del, kur del puna. Më ndihmon dhëndri. Ai me qira për vete” vijon ajo.

Më tej tregon se shtëpia ka probleme, dyert janë të hapura. “Shiu komplet brenda. Gjerat e banjës janë të vjetra. Shtëpinë e ka ndërtuar një shoqatë myslimane. Financues ishte Komiteti Mysliman. Punimet i ka bërë një firmë private. Ky ka ardhur në shtator 2021.

Kanë përfunduar në këtë gjendje që i kanë lënë dhe kanë ikur. Më kanë lënë për ibret, ballkonin e kanë lënë pa kangjella. Unë kam fëmijën e vogël, vetë jam me tension. Rrëshqas, thyej qafën. S’kanë sjellë as mobilie, tubat e banjës i keni ju. Më thanë unë për muret mbaj përgjegjësi. Shtëpinë ma kanë lënë pa izolim” shton e moshuara.

Familja Ismaili ka shkuar edhe te Njësia Administrative në Kombinat, por u kanë thanë “s’e kemi ne”. “E kishte firma. Po se ça firme, nuk e di. Ja hedhin topin njëri tjetrit. Unë kërkoj të më rregullojnë shtëpinë.

S’kam as plaçka shtëpie. Për natë t’u qajt, t’u ulërit. Unë kam 2 goca, një të martuar dhe një në klasë të gjashtë. S’kam ku ta lë” përfundon ajo.

Gazetarët e Fiks Fare biseduan me një punonjës të Komunitetit Mysliman, i cili ishte personi ndërlidhës. Ai thotë se KMSH-ja ka qenë financuese dhe kanë lidhur kontratë me një firmë. I pyetur për mungesën e mobilieve, thotë se nuk parashikoheshin në preventiv.

Sipas tij, mobiliet mund t’ua ketë premtuar Bashkia e Tiranës, Drejtoria e Donacioneve dhe se këtë familje e kanë futur në atë listë. I pyetur për problemet e çatisë, kangjellat apo orenditë e banjës, ai thotë se “janë problemi jonë, do e zgjidhim”. Megjithatë, pranoi se shtëpinë nuk e kishte marrë në dorëzim, por çuditërisht u ka dhënë çelësin banorëve për të jetuar në atë vend, pasi pjesëtarët e familjes s’kishin ku të rrinin.

FOTO GALERI
3/7

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA