Është data 14 dhjetor 2022. Jemi në Veri të Kosovës, në komunën e Zveçanit me shumicë serbe. Retorika politike tashmë është pasuar me akte konkrete armiqësore në terren nga grupet ekstremiste.

Në fshatin Rudarë, serbët i janë rikthyer metodave të vjetra me barrikadat që izolojnë veriun me shumicë serbe, nga jugu me shumicë shqiptare.

Këto momente, janë fiksuar në ditën e 5-të të vendosjes së kësaj barrikade të jashtëligjshme që sfidon dhe cënon bashkëjetesën mes komuniteve.

Barrikadat, nuk janë thjesht hije e së shkuarës, por një formë e të shpallurit të një lufte ndaj rendit kushtetues dhe sovranitetit të institucioneve të Kosovës së pavarur.

Situata duket e qetë por qetësia është mbytëse. Nisur nga situatat e ngjashme të së shkuarës, shqiptarët na thonë se kjo lloj qetësie nuk është domosdoshmërisht një shenjë e mirë. Kamionë pa targa janë vendosur kryq në rrugën qe të çon për më në veri të Kosovës, drejt qytetit të Leposavicit dhe pikave të Kosovës me Serbinë. Qarkullimi drejt këtyre zonave është bllokuar totalisht.

Një flamur serb, një mjergull e fortë dhe një shtresë e lehtë bore ndërtojnë atmosferën e përgjithshme në këtë vend tashmë tensionesh.

Ajo që bie në sy është se ndër mjetet e përdorura nga personat që kanë vendosur barrikadat është edhe një kamion donacion nga Bashkimi Europian.

Autoriteti i policisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera, prihet si me thikë dhe nuk shtrihet dot përtej këtyre barrikadave. Pra, përmes forcës, grupet ekstremiste serbe nuk lejojnë shtrirjen e autoritetit të institucioneve sovrane të shtetit të Kosovës.

Nga burime të ndryshme brenda policisë së Kosovës e më gjerë, pranohet se përtej barrikadave ka efektivë të Policisë, por, janë detyruar të qarkullojnë thjesht si civilë. Nëse shfaqen hapur me uniformat e Policisë së Kosovës, ata janë të rrezikuar dhe mund të bien pre e sulmeve të armatosura.

Në zonë nuk ka njerëz që lëvizin përvec disa banorëve që shihen më shumë të rrinë brenda në shtëpitë dhe oborret e tyre pa u përfshirë. Forcat polake të prezencës së KFOR-it në Kosovë lëvizin shpesh në këtë zonë duke e vëzhguar situatën nga afër.

Në fillimet e vendosjes së kësaj barrikade, mediat e Kosovës pikasën persona me maskë që qëndronin pas këtyre kamionëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA