Rama: Mos besoni ata që s’kanë as din, as iman, pallati në rrugën “Myslym Keta” shumë i rrezikshëm

19/12/2022 19:15

Nga Baldushku gjatë përurimit të lagjes më të re, në të cilën do strehohen familjet e fundit, shtëpitë e të cilave u dëmtuan rëndë nga tërmeti i 2019-ës, kryeministri Rama tha se bashkia dhe qeveria kanë qenë aty për t’u ardhur në ndihmë atyre që u prekën nga tërmeti.

Ai theksoi se nuk duhen besuar kanalet dhe portalet që transmetojnë të pavërteta, duke sqaruar se asnjë familje e vetme nuk ka mbetur pa u strehuar dhe ndihmuar me bonus qiraje.

Kryeministri Rama tha pallati në rr, “Myslym Keta” është një ngrehinë e rrezikshme dhe se familjet trajtohen të gjitha me bonus qiraje deri sa të marrin apartamentet e reja.

“Dua ta nënvizoj edhe njëherë. Shpesh herë serviren në pasqyrat e kanaleve e portaleve, gjysmë të vërteta, që janë dhe gënjeshtrat më të mëdha e përsëris, pamje familjesh që thuhet se janë braktisur, se nuk kujtohet më njëri për ta, se etj etj etj…Po ju them që nuk ka një familje të vetme, e cila të jetë dëmtuar nga tërmeti dhe të cilës të mos i jetë dhënë qysh në krye të herës bonusi i qirasë. Natyrisht që ka familje që kanë preferuar deri në momentin që kanë marrë shtëpinë të mos lëvizin nga çadra. Keni parë disa prej tyre që janë nxjerrë në televizorë: “Shikojini akoma në çadër”. Dhe pastaj ne kemi provuar me dokumente se pavarësisht se qëndrojnë në çadër, ata e marrin bonusin e qirasë çdo muaj rregullisht. Është e drejta e tyre të vendosin që të mos shkojnë të rrinë me qira. Kanë bagëtitë aty, kanë tokën aty pranë, puna e tyre, ne nuk mund t’i detyrojmë. Ama, numri i atyre që kanë qëndruar në çadra ka qenë minimal, minimal.

Ndërkohë që të gjithë të tjerët kanë bërë zgjedhjen e tyre. Ka plot që nuk kanë vajtur fare të futen në shtëpi me qira, kanë shkuar tek shtëpitë e të afërmve, punë e tyre, por ama ky shtet ju ka paguar një më një bonusin e qirasë, deri ditën kur iu kanë dhënë shtëpinë. E njëjta gjë vlen edhe për ata të cilët bëjnë disa rezistenca që unë nuk arrij dot t’i kuptoj. Si mund të vazhdohej të jetohej në atë pallatin që u shemb këto ditë dhe çfarë njerëzish janë këta që ju dalin me demek në mbrojtje? Ndërkohë që ai pallat bën “mu” që është një ngrehinë e rrezikshme. Një ngrehinë që me një goditje të matrapikut binte dy kate përnjëherë. Dhe ndërkohë që atyre të gjithëve ju jepet bonusi i qirasë dhe ju thuhet bujrum, kur të ndërtohen apartamentet e reja, do të merrni një apartament të ri. Tani çfarë duhet të bëjë qeveria dhe çfarë duhet të bëjë bashkia, sipas atyre që bien pre e abuzimit dhe shfrytëzimit të ankthit dhe të shqetësimit të tyre, nga ata të cilët i thonë vetes opozitë? Po ata janë një grumbullim individësh që nuk kanë fe, që nuk kanë atdhe, që nuk kanë as din e as iman dhe besë jo e jo, në raport me njerëzit të cilët me demek iu dalin për Zot. Se kush i del për Zot njerëzve në këtë vend, ne e kemi treguar me prova”, sqaroi Rama.

FOTO GALERI
3/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA