Triumfi në Kupën e Botës së Katarit, ngjit Lionel Messin në një piedestal që nuk e kishte arritur më parë.
Numri 10 tashmë po konsiderohet gjithnjë e më shumë si futbollisti më i mirë në histori ndërsa nga ana tjetër, elozhet për 35-vjeçarin vijnë edhe nga Fabio Capello. Italiani thekson se nuk ka pasardhës të Messit në botën e futbollit duke e konsideruar atë unik, ndërsa shton se Mbappe nuk është si argjentinasi, megjithatë para tij është një rrugë e mbushur me sukses.
“Mbappe nuk është si Messi, që gjithsesi ka një të ardhme të madhe përpara. Me siguri do të fitoj shumë Topa të Artë, epoka e tij sapo ka filluar. Nga ana tjetër, Messi është si një melodi e mrekullueshme. Për fat të keq nuk shoh asnjë lojtar që të jetë pasardhës i tij, ndërkohë Messi ishte pasardhës i Maradonës dhe Maradona vetë ishte pasardhës i Pele. Mbappe është ndryshe, ai është një golashënues i lindur”.
Në fund, italiani është ndalur edhe te risitë taktike që dhuroi futbolli në Kupën e Botës me Capellon që shprehet se Serie A duhet të mësojë nga Botërori ndërsa shtoi se “Tiki-Taka-s” i ka ardhur fundi.
“Serie A duhet të mësojë nga Botërori. Për mua “tiki-taka-s” i ka ardhur fundi, por topi duhet të luhet në tokë, të ketë sa më pak lojë në ajër. Ndërsa arbitrave iu them se duhet që kartonat t’i mbajnë në xhep dhe t’i përdorin më pak”, u shpreh Capello.
Top Channel