Situatë e tensionuar është krijuar këtë të diel në Jarinjë, ku një grup serbësh të cilët mbështesin personat që vendosën barrikadat po protestojnë.

Protesta po zhvillohet afër pikëkalimit kufitar mes Kosovës dhe Serbisë, Jarinjë, në anën e territorit serb.

Policia serbe ka krijuar një kordon në afërsi të kufirit, i cili është tentuar të thyhet nga protestuesit.

Një pjesë prej protestuesve kanë vënë maska të zeza, për të mos ekspozuar  fytyrën.

Thirrja për protestë është bërë nga grupet e djathta, siç është “Patrulla Kombëtare”, si dhe është bërë thirrje që organizimit t’i bashkohen mbështetës të tjerë nga Serbia, Mali i Zi dhe Republika Sërpska e Bosnje-Hercegovinës.

Në mesin e tyre është edhe Damjan Knezheviç, kreu i grupit jozyrtar të ekstremit të djathtë “Patrulla Kombëtare” nga Serbia.

“Patrulla Kombëtare” njihet për veprimet e saj kundër emigrantëve, për glorifikimin e kriminelëve serbë të luftës dhe mbështetjen për Rusinë në luftën që zhvillon në Ukrainë.

Organizata është e lidhur me grupin e ekstremit të djathtë “Rusov” dhe grupin paraushtarak rus “Vagner”, të cilin e ka vizituar së fundi në Rusi.

Në disa pamje të publikuara në platformat online, protestuesit dëgjohen duke insistuar që t’i afrohen pikës kufitare, ku shihen trupa të misionit të NATO-s, KFOR.

Top Channel