Miratohet buxheti në parlamentin grek, Mitsotakis: 10% e blerjeve ushqimore për çdo familje për 6 muaj do mbulohen nga qeveria

18/12/2022 14:09

Me 156 votat e deputetëve të partisë konservatore në fuqi, nga 299 të pranishëm, parlamenti grek ka miratuar buxhetin e parë të vendit pas 13 vitesh që nuk do të hartohet nën mbikëqyrjen e kreditorëve të vendit.

Pas një debati pesë-ditor në fjalimin e tij para votimit , kryeministri Kyriakos Mitsotakis ka deklaruar se qeveria e tij  do të taksojë fitimet e dy kompanive të përpunimit të naftës dhe duke marrë prej tyre rreth 650 mln euro do të subvencionojë me 10% blerjet e ushqimeve të çdo familjeje  greke me të ardhura deri në 24000 euro në vit, shumë që rritet për çdo fëmijë.

“Nga shkurti i ardhshëm, për gjashtë muaj, shteti do të mbulojë 10% të blerjeve të çdo familjeje në supermarkete dhe në të gjitha bizneset ushqimore. E thënë thjesht: 10% inflacion, 10% i mbuluar nga shteti. Po flasim për supermarkete, po flasim për furra buke, po flasim për kasapin, frutoret, pastiçeritë, dyqanet e peshkut”, tha kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis.

Megjithëse parashikohet për 2023 një rritje ekonomike prej vetëm 1.8%, nga 5.6% këtë vit dhe inflacioni pritet të jetë mesatarisht 5%, nga 9.7% këtë vit, Mitsotakis ka theksuar se për herë të parë pas 12 vitesh, 1.700.000 pensionistë do të shohin për herë të parë një rritje të pensioneve në masën gati 8%.

Gjithashtu 2,300,000 qytetarë të varfër do të marrin një përfitim prej 250 euro pas dy ditësh, 20 mijë mjekët e Shërbimit Shëndetësor Kombëtar do të kenë rritje të pagës 10%, ndërsa pas Forcave të Armatosura, edhe nëpunësit e porteve dhe policët  do të marrin një ndihmë emergjente prej 600 eurosh.

Por opozita greke ka kritikuar ashpër masat e kryeministrit duke theksuar se me 30 euro ai kërkon të blejë votën e qytetarëve ,ndërsa përveç ekonomisë , shtrenjtësisë dhe zgjedhjeve të ardhshme , debati i ashpër politik është zhvilluar me objekt skandalin e përgjimeve.

 “E dini, ndryshimi i madh mes periudhës së SYRIZA-s dhe periudhës suaj të diversionit nuk është vetëm se ne respektuam garancitë institucionale të parashikuara me kushtetutë, se nuk i shaktërruam arkivat  si ju, se gjithçka është në dritë. A e dini cili është ndryshimi i madh? Se Inteligjenca Kombëtare në kohën e SYRIZA-s, siç dihet, monitoronte të ashtuquajturën «greek mafia», ndërsa në ditët tuaja menaxhohej nga ‘greek mafia’”, tha Alexis Tsipras lideri SYRIZA-s.

Zgjedhjet e ardhshme parlamentare në vend parashikohen në pranverën që vjen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA