Veliaj me personalitetet e Njësisë 7: Kontributi i vyer duhet vlerësuar, me besim dhe mirënjohje ecim përpara

17/12/2022 20:37

Në përfundim të turit në Njësinë 7, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me deputeten e PS, Etilda Gjonaj, vlerësuan figurat që kanë kontribuuar për komunitetin e zonës, duke shpërndarë edhe disa certifikata mirënjohjeje.

Veliaj tha se dëshira e tij më e madhe është që Tirana të njihet si qytet njerëzor. “Shumë njerëz më thonë që Tirana njihet si qytet modern, që po zhvillohet, ku ka progres, njihet si qytet i ri dhe europian. Të gjitha këto janë gjëra shumë të mira. Por, nëse do të zgjidhja, do të doja se Tirana duhet të njihet si qytet njerëzor, ku njerëzit i thonë tjetrit: ‘Faleminderit! Bravo të qoftë! Jam krenar për ty!’ Qytetet e njerëzishme bëhen edhe moderne, bëhen edhe të zhvilluara ekonomikisht, bëhen edhe evropiane”, tha Veliaj.

“Vetëm me besim te njëri-tjetri”, – tha kryebashkiaku – “qyteti ecën përpara”.

“Do doja që këto aktivitete të ishin edhe kundërhelm për shoqërinë tonë, për të thënë: ‘Prit ore, se shumica e shoqërisë sonë nuk e ka humbur besimin te doktori, nuk e ka humbur besimin te arti i mirëfilltë, nuk e ka humbur besimin te pikturat, te skulpturat, nuk e ka humbur besimin te sporti. Ne kemi nevojë për këtë ilaç, dhe për t’i thënë shoqërisë: Këta janë njerëzit me vlera, këta janë njerëzit që kanë sakrifikuar nga jeta e tyre, këta janë njerëzit që, në ditët më të vështira, kur nuk i kishin këto kushte, kanë ruajtur jetën”, tha Veliaj.

Këngëtarja e famshme shqiptare, Mariza Ikonomi, banore e Njësisë 7, tha: “Jam vërtetë shumë mirënjohëse, sepse gjatë gjithë artit tim ndihem vërtetë me fat që kam qenë e mbështetur nga Bashkia e Tiranës”.

FOTO GALERI
3/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA