Chelsea siguron firmën me sulmuesin francez, akord me klubin e Bundesliga-s

17/12/2022 15:58

Christopher Nkunku do të veshë fanellën e Chelsea duke nisur nga sezoni 2023-2024 teksa lojtari që aktualisht është pjesë e Leipzig në Bundesligën gjermane do të transferohet në Premier League verën e ardhshme.

Transferimi i sulmuesit francez në Stamford Bridge do t’i kushtojë arkave të klubit londinez plot 53 milionë paund me Nkunku që cilësohet si një lojtar që do të zgjidhë përfundimisht problemet e Chelsea me golin. Në sezonin aktual, në 15 ndeshje të Bundesligës, 25-vjeçari ia ka dalë të gjejë rrugën e rrjetës në 12 raste ndërsa numëron edhe dy asistime.

Nkunku është një lojtar që grumbullohet rregullisht edhe nga kombëtarja e Francës, madje Didier Deschamps e preferoi edhe për Botërorin e Katarit, mirëpo sulmuesi ishte i pafat dhe u dëmtua disa ditë para startit të eventit.

Nkunku është një produkt i akademisë së PSG me lojtarin që e provoi edhe një eksperiencë me skuadrën e parë të parizienëve, por që për shkak të konkurrencës së lartë dhe moshës së re nuk mundi të shndërrohej në një titullar të kryeqytetasve. Gjithsesi, nga sezoni i ardhshëm. 25-vjeçari do të nisë aventurën më të rëndësishme të karrierës me Chelsean, në kampionatin më të fortë europian.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA