Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka përgëzuar Altin Dumanin për zgjedhjen e tij në krye të SPAK.
Përmes një deklarate, Ambasada e SHBA thekson mbështetjen e saj për Dumanin dhe Prokurorinë e Posaçme në luftën e vazhdueshme kundër Korrupsionit si dhe zbatimin e reformës në drejtësi.
“Puna e SPAK-ut duhet të vazhdojë të demonstrojë që askush nuk është mbi ligjin. Koha e pandëshkueshmërisë ka marrë fund. Reforma në drejtësi nuk është vetëm një kusht për anëtarësimin në BE, është një kërkesë e drejtë e popullit shqiptar. Shtetet e Bashkuara do qëndrojnë gjithnjë krah popullit shqiptar”- ishte mesazhi i fortë i Ambasadës.
Reagimi i Ambasadës Amerikane:
Ambasada e SHBA përgëzon Altin Dumanin për zgjedhjen si Kryeprokurori i ardhshëm i SPAK. Të tre kandidatët – zoti Dumani, Adnan Xholi dhe Edvin Kondili – janë shumë të kualifikuar dhe meritojnë respekt të plotë në përpjekjet e tyre. Presim me kënaqësi të punojmë ngushtë me të gjithë ata.
Për të çuar përpara Memorandumin e Presidentit Biden në Përcaktimin e Luftës kundër Korrupsionit si një Interes Thelbësor i Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara (qershor 2021), ne do të vazhdojmë të mbështesim zbatimin e reformës në drejtësi. Presim me kënaqësi të mbështesim zotin Dumani dhe SPAK-un ndërsa ata vazhdojnë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Puna e SPAK-ut duhet të vazhdojë të demonstrojë që askush nuk është mbi ligjin. Koha e pandëshkueshmërisë ka marrë fund. Reforma në drejtësi nuk është vetëm një kusht për anëtarësimin në BE, është një kërkesë e drejtë e popullit shqiptar. Shtetet e Bashkuara do qëndrojnë gjithnjë krah popullit shqiptar.
Falënderojmë Këshillin e Lartë të Prokurorisë për një proces përzgjedhës i cili pati qëllim të siguronte integritetin e procesit. Është thelbësore për institucionet e drejtësisë që të veprojnë me integritet, pa frikë apo favore.
Vlerësojmë shumë zotin Kraja për udhëheqësinë dhe përkushtimin e tij si Kryeprokurori i SPAK. Ai vendosi themele të forta mbi të cilat pasardhësit e tij mund të ndërtojnë.
Altin Dumani është zgjedhur në krye të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion me pesë vota pro, pas seancës rreth gjashtë orë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Top Channel