Video ekskluzive/ Vrau babë e bir në Grykë Zezë të Lezhës katër muaj më parë, kapet autori i ngjarjes (emri)

16/12/2022 11:06

Policia e Lezhës në bashkëpunim me forcat Renea ka bërë të mundur lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar për  vrasjen e dyfishte të ndodhur në muajin Gusht në Grykë Zez të Lezhës.

Gazetarja Brixhilda Deda bën me dije për Top Channel se Besnik Pjetri, autori i dyshuar për vrasjen e dyfishtë të babë e bir Besnik dhe Pjetër Përjaku, është shoqëruar pak minuta më parë në ambientet e komisariatit të Lezhës, nën masa të rrepta sigurie.

Pjetri, dhëndri i viktimave, ishte në kërkim nga policia e shtetit që prej fundit të muajt gusht.

Si ndodhi ngjarja?

Vrasja e dyfishtë ndodhi pak para mesnatës së datës 30 gusht në fshatin Grykë Zezë të Lezhës, ku pas sherreve të vazhdueshme pas divorcit me gruan, Besnik Pjetri vendos të vrasë babanë dhe vëllanë e bashkëshortes. Pasi janë kthyer nga një darkë familjare, ata janë drejtuar për në shtëpi ku si duket autori i dyshuar iu ka bërë pritë duke i ruajtur pranë banesës së tyre.

Burime të afërta nga familja kanë bërë më dije se në momentin që viktimat janë futur në banesë, autori ka hapur derën dhe ka qëlluar drejt tyre në korridorin e shtëpisë ku ka rrezikuar dhe familjarë të tjerë.

Dyshohet se shkak për konfliktin janë bërë vajzat mes çiftit të divorcuar, të cilat mendohet se pas ndarjes nuk i ka takuar. Po ashtu burime bëjnë më dije çifti ka pasur konflikte të vazhdueshme edhe pse ishin divorcuar 6 vite më parë.

Njoftimi i Policisë:

RENEA kap dhe vë në pranga një shtetas shumë të kërkuar për vrasje të dyfishtë me armë zjarri.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Fundi i arratisë”, i zhvilluar në kushte të vështira terreni dhe atmosferike.

Operacioni, i finalizuar si rezultat i ndërhyrjes profesionale të shërbimeve të RENEA-s dhe punës gjurmuese-policore të strukturave hetimore dhe operacionale të Policisë së Lezhës.

Lokalizohet në një banesë të braktisur në Kaçinar, Mirditë, kapet dhe vihet në pranga 49-vjeçari i shumëkërkuar për vrasje të dyfishtë me armë zjarri.
I ndaluari vrau babanë dhe vëllanë e ish-bashkëshortes së tij, më datë 29.08.2022, në banesën e tyre, në Grykë-Zezë, Lezhë.

Shërbimet e Policisë së Lezhës, në vijim të punës intensive gjurmuese-policore, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për kapjen dhe vënien në pranga të autorit të shumëkërkuar të vrasjes së dyfishtë, me armë zjarri, të ndodhur më 29.08.2022, në Grykë-Zezë, Lezhë, ku u vranë shtetasit P. P., 56 vjeç dhe G. P., 32 vjeç (babai dhe vëllai i ish-bashkëshortes së autorit), mbështetur nga inteligjenca informative, si dhe falë ndërhyrjes profesionale nga shërbimet e RENEA-s, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Fundi i arratisë”, të zhvilluar në një terren me kushte tejet të vështira gjeografike dhe atmosferike.

Si rezultat i këtij operacioni, falë kërkimeve të pandërprera dhe ndjekjes intensive, duke përdorur forma dhe teknika speciale hetimi, u bë i mundur lokalizimi në një banesë të braktisur, në fshatin Kaçinar, Mirditë, si dhe kapja e vënia në pranga e shtetasit:

– B. P. (P.), 49 vjeç, banues në Troshan, Lezhë.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë i ka caktuar 49-vjeçarit, në mungesë, masën e sigurisë “Arrest në burg”, pasi nga veprimet hetimore, të kryera nën drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, rezulton se 49-vjeçari, më datë 29.08.2022, për shkak të një konflikti me familjarët e ish-bashkëshortes së tij, ka vrarë me armë zjarri shtetasit P. P. dhe G. P. (babai dhe vëllai i ish-bashkëshortes së tij).

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel