Skocezi rreh për vdekje kolegun anglez në platformën detare të naftës në Katar (fotot)

16/12/2022 21:34

Familjarët zemërthyer të një burri që besohet se është rrahur për vdekje nga një koleg në një platformë detare energjitike në ujërat e Katarit, i bënin sot homazhe emocionale 38 vjeçarit “të marrë nga jeta para kohe”.

Robert Robson ka humbur jetën pasi ishte sulmuar në ambjentet e banimit në kompleksin detar energjitik Seafox Burj, ndërsa trupi i tij ishte gjetur i mbështjellë, në një tualet të stafit.

Kolegu i tij britanik Chris Begley, ishte plagosur pas goditjes në kokë që mori kur shkoi të ndihmonte ose kontrollonte për Robson.

Autoritetet në Katar kanë ndaluar për ngjarjen një 43-vjeçar nga Aberdeen. Identiteti i skocezit nuk eshte bere i njohur ende.

Robson nga veriu i Anglisë jetonte me partneren e tij Kristie Graham dhe fëmijët.

Ai besohet se kishte filluar punë vetëm kohët e fundit me kompaninë energjitike Film-Ocean, e cila furnizon dhe operon pajisje për industrinë detare globale të naftës.

Ministria e jashtme britanike tha se janë duke dhënë ndihmë për familjen e viktimës, ndërsa kompania Film-Ocean tha se nuk ka më staf në bordin e platformës Seafox Burj.

E përditshmja Daily Mail shkruante se megjithë rrogat e larta, kushtet e jetesës në platformë ishin të përçmueshme, dhe atmosfera përshkruhej si “një tenxhere me presion”.

Robson besohet se është sulmuar të hënën dhe pësoi plagë fatale pasi u godit me një bombul oksigjeni.

Kolegu i tij Begley gjithashtu u godit në kokë por arriti të shpëtonte e të kërkonte ndihmë. Ai është trajtuar në spital por tashmë është kthyer në vendin e tij, Skoci.

Policia e Katarit kishin ardhur me helikopter në platformë nga Doha për arrestimin e të dyshuarit, i cili ende vijon të merret në pyetje, sipas autoriteteve.

Ish-kolegë të vrasësit të dyshuar kanë shprehur habinë për veprimet e supozuara, ndërsa tani mund të përballet me dënim me vdekje nëse shpallet fajtor në Katar.

Çështjet e vrasjeve në Katar vendosen nga tre gjykatës dhe nganjëherë vendimi lihet në dorë të familjes së viktimës (nëse duan t’ia falin jetën apo ajo).

Një avokat në Katar tha: “Dënimi mund të jetë ekzekutim, përveç rastit kur familja e viktimës e fal dhe dënimi ulet”.

Të tre anëtarët e stafit të përfshirë punonin në kohën e incidentit në platformën e kompanisë energjitike skoceze Film-Ocean.

FOTO GALERI
1/3
Robert Robson (djathtas) ka humbur jetën pasi ishte sulmuar në ambjentet e banimit në kompleksin detar energjitik

Top Channel