Kreu i SPAK/ “Nuk ka asnjë mesazh të fshehur”, Yuri Kim tregon pse shkoi në KLP: Moment me rëndësi, njerëzit kërkojnë ndryshim

16/12/2022 15:24

Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim e quajti një moment të rëndësishëm përzgjedhjen e kreut të ri të SPAK, ndërsa foli për mediat pas mbledhjes së KLP-së.

Në lidhje me komentet se ka një përplasje mes saj dhe qeverisë, ajo u shpreh se nuk ka asnjë mesazh të fshehur për vizitën e saj në KLP.

Diplomatja amerikane theksoi se SHBA-ja ka qenë gjithmonë e drejtpërdrejtë me popullin shqiptar, ndërsa mbetet prioritet mbështetja e reformës në drejtësi.

“E shoh që ka shumë teori konspirative që po qarkullojnë, dua të shpjegoj pse kam ardhur, është një moment i rëndësishëm, nuk ka asnjë mesazh të fshehur, SHBA kanë qenë gjithmonë të drejtpërdrejta me popullin shqiptar, gjithashtu e dini që, unë them atë që nënkuptoj dhe nënkuptoj atë që them dhe përfaqësoj SHBA-në. Mbetet prioritet i SHBA që reforma të mbështetet plotësisht, është bërë shumë përparim dhe shumë njerëz meritojnë meritë për këtë, duke filluar me qeverinë e këtij vendi. Merita i shkon edhe opozitës, edhe kritikëve që e mbajnë qeverinë të ndershme se kjo është puna e tyre”, tha Kim.

“Merita i shkon të tjerëve që marrin pjesë në këtë proces që e ndjekin, puna e SHBA është që të mbështesë, ju duhet ta doni reformën në drejtësi, ndryshimin më shumë se sa ne. Ka një gjë kohët e fundit, njerëzit populli duhet ta kërkojnë ndryshimin, pa njerëzit ndryshimi nuk vazhdon, edhe në anekënd të këtij vendi që njerëzit kërkojnë ndryshim, kjo është një çast i rëndësishëm. Është i rëndësishëm për anëtarët e KLP që kanë dëgjuar kandidatët dhe u kanë bërë pyetje të vështira dhe jemi me të vërtetë me shumë fat që kemi tre kandidatë që janë vërtet të kualifikuar, por para tyre kanë një vendim të vështirë, baza e këtij vendimi duhet të jetë ekzaminim i kritereve”, tha Kim.

 “Jemi me fat se kemi tre kandidatë shumë të kualifikuar që të tre, por përpara tyre kanë një vendim të vështirë. Baza e këtij vendimi duhet të jetë objektiv dhe ekzaminim i kritereve dhe kualifikimeve. Nuk duhet të bazohet nga perceptimi kërcënimi.  Kjo do thyente integritetin e atij procesi. Është e rëndësishme për kë do përzgjidhet, duhet ta kuptojë se është zgjedhur në bazë të kritereve, dhe jo në bazë të premtimeve për favore, apo kërcënime Kushdo që të zgjidhet duhet të zgjidhet dhe duhet të marrë në konsideratë faktin se pronari I tij i vetëm është ligji. Sërish nuk ka ndonjë arsye tjetër të veçantë, erdha këtu sepse ma lejon agjenda ime. Do e ndjek po aq afër këtë proces sa edhe ju”, shtoi Kim.

Top Channel