Barrikadat e vendosura në veri të Kosovës prej shtatë ditësh kanë bllokuar rrugët që të çojnë në drejtim të kufirit të Jarinjes dhe Bërnjakut.

Serbët lokalë kanë ngritur edhe një tjetër barrikadë afër fshatit Çabër në drejtim të Zubin Potokut, ku kanë vendosur dy kamionë.

Dyqanet janë pothuajse të gjitha të mbyllura përveç atyre të ushqimeve dhe bareve, ndërkaq nëpër shkolla e fakultete mësimi është pezulluar.

Kjo situatë pritet të zgjasë të paktën deri më 18 dhjetor me urdhër të shtabit të krizës të formuar ditë më parë e që udhëhiqet nga kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç.

Situata e përgjithshme e sigurisë në veri të vendit është e brishtë.

Qytetarët serbë nuk po lejohen të lëvizin lirshëm nga bandat kriminale që po qëndrojnë në barrikadat e vendosura në rrugë.

Sipas KosovaPress,  Policia e Kosovës mbrëmë ka arrestuar një ish-polic serb nën dyshimet për krime lufte gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Pjesëtarët e Policisë së Kosovës po vazhdojnë patrullimin e tyre nëpër zonat me popullatë të përzier në veri të Mitrovicës, për të ofruar siguri për qytetarët.

Top Channel