Kërcënimet për bombë në Aeroportin e Shkupit rezultuan të rreme, sipas ministrisë së brendshme maqedonase.
Tashmë fluturimet kanë rinisur atje si zakonisht pas kaosit të orëve të mëngjesit, që detyruan avionët me destinacion kryeqytetin maqedonas të devijonin udhëtimin. Përveç aeroportit, kërcënime për bomba pati edhe në disa objekte tjera: hotele, qendra tregtare, në 15 shkolla fillore dhe të mesme, në kopshte fëmijësh dhe qendra të ndryshme sportive.
Si pasojë e këtyre kërcënimeve u evakua deri edhe hoteli “Aleksandar Palace”, ku po qëndronte kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski dhe zyrtarë tjerë të Qeverisë. “Menjëherë pas marrjes së denoncimeve, nga punonjësit e policisë janë marrë masa për evakuimin e sigurt të objekteve dhe po kryhen kontrollet antiterroriste si dhe masat për zbardhjen e rasteve”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.
Alarme për vendosje të bombave ka pasur edhe ditën e mërkurë në 49 objekte të arsimit dhe institucioneve tjera shtetërore, por edhe në qytete tjera si në Kumanovë, Kavadar, Shtip dhe Manastir. Kovaçevski sqaroi se institucionet po punojnë për zbardhjen e këtyre kërcënimeve që kanë nisur më 26 tetor.
Dyshimet kryesore, sipas tij, janë se bëhet fjalë për “luftë hibride, për futjen e frikës në mesin e popullatës dhe destabilizimin e vendit” dhe se institucionet janë në kontakt me NATO-n dhe faktorë të tjerë ndërkombëtar për ndihmë në zbardhjen e kërcënimeve. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, kërcënimet në postat elektronike vijnë nga jashtë kufijve.
Top Channel