Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, u dënua të premten nga Gjykata Speciale me 26 vjet burg për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë.
Ai u dënua me 10 vjet burgim për ndalim arbitrar, 22 vjet burgim për torturë dhe 25 vjet burgim për vrasje të paligjshme. Ndërkohë që u shpall i pafajshëm për akuzën e trajtimit mizor. Vendimi i sotëm është njëherësh është aktvendimi i parë i këtij institucioni lidhur me hetimet për krime lufte në Kosovë.
Kryegjykatësja, Mappie Veldt-Foglia, ka thënë para shpalljes së vendimit se ka mendime të gabuara se akuzat janë kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe popullit të Kosovës.
“Në asnjë moment nuk është gjykuar UÇK-ja”, ka thënë ajo.
Në përmbledhje të aktgjykimit, Veldt-Foglia ka thënë se dëshmitë e dëshmitarëve kanë qenë të qarta, koherente dhe përputhëshin. Mustafa fillimisht është akuzuar për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.
Këto krime është thënë se janë kryer në kompleksin e ndalimit në Zllash në Kosovë, në prill të vitit 1999. Sa i përket akuzës për ndalim arbitar, kryegjykatësja ka thënë se të paktën 6 personave u është ndaluar liria në periudhën 1 prill 1999 – 19 prill 1999. Për akuzën e torturës, gjykatësja tha se të ndaluarit janë mbajtur në kushte ç’njerëzore dhe poshtëruese.
“Ata flinin në ujë, në pellgje, në ahur ishte gjithmonë terr, ata nuk kishin ushqim të mjaftueshëm, kalonin dy tri-ditë pa ngrënë. Vetë Mustafa ka marrë në pyetje dhe ka keqtrajtuar dy prej tyre”, tha ajo.
Në pikën për vrasje të paligjshme, Veldt-Foglia ka thënë se vdekja e një viktime në periudhën e fundit të prillit 1999, “mund t’i atribuohet veprimeve dhe mosveprimeve të Mustafës si komandant i BIA-s”. Sipas aktakuzës, Salih Mustafa, gjithashtu i njohur si ‘komandant Cali’, ka qenë komandant i njësitit gueril BIA, njësit brenda Zonës Operative të Llapit të UCK. Gjykimi ndaj tij përbën procesin e parë gjyqësor për krime lufte që ka nisur në Gjykatën Speciale.
Përveç, Mustafës, të akuzuar për krime lufte janë edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi dhe ish-pjesëtari tjetër i UÇK-së, Pjetër Shala.
Top Channel