Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, shkel Marrëveshjen e Uashingtonit.

“Ne do t’i përgjigjemi të gjitha këtyre sonte, pas mbledhjes së Qeverisë. Ne po ashtu do të marrim përgjigje sa i përket kërkesës sonë lidhur me Rezolutën 1244, por edhe për tërheqjen e njohjes së Kosovës nga shumë shtete”, tha Vuçiç për gazetarët më 15 dhjetor, gjatë një vizite në kufirin midis Serbisë dhe Hungarisë.

Marrëveshja e Uashingtonit, të cilës i referohet Vuçiçit, veç tjerash, parashihte një moratorium njëvjeçar për Kosovën dhe Serbinë. Kosova ishte zotuar se për një vit nuk do të aplikonte për anëtarësim në institucione e organizata ndërkombëtare, ndërkaq Serbia të ndalte fushatën për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Në përvjetorin e nënshkrimit të marrëveshjes, Departamenti amerikan i Shtetit inkurajoi Kosovën dhe Serbinë që të vazhdojnë memorandumin.

Vuçiç tha se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE shkel nenin 49 të Traktatit të BE-së.

“Kushti për të qenë në gjendje për të aplikuar për anëtarësim në BE është që të jesh shtet evropian. Nuk e di se çfarë kriteri përdoret për të përcaktuar se çfarë nënkuptojmë me të qenët shtet, a i referohet një shteti të BE-së apo të gjitha shteteve të BE-së, apo anëtarësimit në Kombet e Bashkuara”, tha Vuçiç.

Nga 27 shtetet e BE-së, pesë prej tyre ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Kosova po ashtu ende nuk është anëtare e OKB-së.

Kosova ka shpallur pavarësinë më 2008.

Ndërkaq, zyrtarët në Serbi kanë paralajmëruar se do t’i drejtohen KFOR-it më 15 dhjetor me kërkesën për dislokimin e trupave ushtarake dhe policore në Kosovë.

Serbia ka argumentuar se dërgimi i trupave në Kosovë i lejohet në bazë të Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara.

Kosova ka kundërshtuar këtë pretendim të Serbisë, duke thënë se ushtarët dhe policët serbë nuk mund të dislokohen në shtet.

“Serbia dhe udhëheqësi i saj Vuçiç, e dinë fare mirë se prezenca e ushtrisë serbe në territorin e Kosovës mori fund një herë e përgjithmonë më 12 qershor 1999″, tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë fjalimit të saj vjetor të mbajtur më 15 dhjetor në Kuvendin e Kosovës.

Po ashtu, Shtetet e Bashkuara kanë kundërshtuar fuqishëm idenë e dislokimit të trupave serbe në Kosovë.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se Kosova ka “garanci të forta sigurie” nga SHBA-ja.

“Ne e kundërshtojmë këtë në mënyrë kategorike. Ne e refuzojmë këtë në mënyrë kategorike. Nuk e mbështesim fare. Dhe, po ashtu, dua të them se Kosova ka garanci shumë të forta të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara”, tha Escobar.

Tensionet midis Kosovës dhe Serbisë janë rritur, pasi në veriun e Kosovës ditëve të fundit janë regjistruar disa incidente me armë zjarri, granata dore dhe shok bomba.

Më 10 dhjetor, disa serbë lokalë ngritën barrikada në veri, në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-polici serb, që Kosova thotë se dyshohet për organizimin e “sulmit terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri më 6 dhjetor.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar largimin e menjëhershëm të barrikadave, teksa Qeveria e Kosovës ka thënë se po pret që misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, t’i largojë barrikadat.

KFOR ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të zgjidhin çështjet e tyre përmes dialogut, duke thënë se dialogu është mënyra e vetme për arritjen e paqes së qëndrueshme./Rel

Top Channel