Dublini tha se kjo është vdekja e parë e një ushtari irlandez në një mision paqeruajtës prej më shumë se dy dekadash.
Një ushtar irlandez që shërbente si paqeruajtës i Kombeve të Bashkuara në Liban është qëlluar për vdekje kur u sulmua karvani i tij.
Tetar Seán Rooney, nga Donegal, vdiq pas sulmit të mjetit të OKB të mërkurën, njoftonte ushtria irlandeze.
Një tjetër ushtar u plagos rëndë dhe mbetet në gjendje kritike pasi ka kryer operacionin. Ndërsa dy të tjerë u trajtuan për plagë të vogla.
Ushtarët ishin pjesë e batalionit të këmbësorisë të dislokuar në jug të Libanit në nëntor si pjesë e forcës së përkohshme të OKB, UNIFIL.
Karvani i dy mjeteve të blindura po udhëtonte drejt kryeqytetit Beirut kur u gjet në zjarrin e armëve të mërkurën mbrëma.
Ushtarët e plagosur në sulm u dërguan në spitalin e Raee, Beirut, ku paqeruajtësi me plagë të rënda u shpall i vdekur në mbërritje.
Katër ushtarë të tjerë të karvanit shpëtuan të paplagosur nga sulmi.
Ministri irlandez i mbrojtjes Simon Coveney tha se sulmuesit kishin ndarë dy autoblindat nga njëra tjetra, në sulmin në jug të Beirut.
“Një prej tyre u rrethua nga grupi armiqësor që qëlloi me armë, dhe një nga paqeruajtësit tanë u vra”, tha ai.
Në mediat e rrjetet sociale libanese tregoheshin pamje të rënda të sulmit me makinën e përmbysur të OKB dhe një ushtar të plagosur para saj.
Coveney tha se ishte njoftuar për pamjet, të cilat nuk janë verifikuar.
Andrea Tenenti, zëdhënësi i OKB tha se detajet janë të pakta por me sa kuptonte një prej blindave ishte përmbysur.
Vdekja e sotme e një paqeruajtësi të UNIFIL është e para në Liban prej vitit 2007 kur tre kolumbianë dhe tre spanjollë të forcës ndërkombëtare u vranë në një shpërthim me bombë.
Rreth 13,000 paqeruajtës të OKB janë të stacionuar në Liban, për të menaxhuar armëpushimin me Izraelin, që prej pushtimit të këtij të fundit në vitin 1978.
Misioni u zgjerua pas një konflikti mes Izraelit dhe grupit militant vendas Hezbollah në 2006.
Hezbollah ofronte sot ngushëllimet dhe tha se nuk është i përfshirë në tragjedi.
47 ushtarë të UNIFIL kanë humbur jetën në Liban që prej vitit 1978.
Top Channel